Konspiracionisti i njohur në Kosovë që nga koha e pandemisë COVID-19, Arianit Sllamniku, po pretendon se mund ta “shërojë autizmin” përmes rekomandimit të disa barnave që nuk janë të destinuara për përdorim te njerëzit, por për kafshë.
Për këto pretendime të tij janë aktivizuar Prokuroria dhe Policia e Kosovës, pas denoncimeve nga familjarë që kanë komunikuar me të.
Sllamniku është intervistuar ditën e djeshme nga policia hetuese.
Këtë e ka konfirmuar vetë Sllamniku duke mos dhënë detaje të tjera se në çfarë cilësie është intervistuar, si dëshmitar apo si i dyshuar.
Sllamniku pretendon se autizmi shkaktohet nga parazitët në trupin e njeriut dhe se, përmes largimit të tyre, fëmijët mund të shërohen. Sipas tij “Vaksinimi, është shkaktari kryesor i autizmit”.
Sipas një analize të thjeshtë të medikamenteve që ai ua rekomandon prindërve t’i aplikojnë te fëmijët, rezulton se këto barna janë të destinuara për përdorim veterinar, kryesisht te kafshët si lopët dhe qentë.









