Opinionistja Kimete Berisha, ka bërë një analizë për kandidatët që garojnë për kryetar të komunës së Prishtinës.
Berisha përmes një shkrimi në Facebook, për Përparim Ramën thotë se ‘kryetari bie në gropën që e hapi vetë’, ndërsa, Uran Ismaili, i urren katundarët, por i do “vëllezërit e motrat” që Zoti i krijoi në katund.
Kurse, Hajrullah Çekun e konsideron të qetë dhe e quan ‘zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi”, duke shtuar se atij do t’ia japë votën.
Kur kryetari bie në gropën që e hapi vetë
Shkrimi i plotë:
(Një qytet që ndriçon vetëm kur s’ka kryetar)
Përparim Rama
- Njëzet e gjashtë vjet më parë, kur e bleva banesën, kishte ndriçim publik.
Në epokën e Përparimit, Bregu i Diellit u shndërrua në Natë pa Hënë e pa Yje.
- Neve na la në terr, por vetë shkonte nëpër takime i ndriçuar nga gota e rakisë.
Gazetarëve u thotë “zemra” e “loçka”. Ndërsa zyrën e bashkëshortes e ngriti në komunë, sepse… pse jo…edhe dashuria ka nevojë për buxhet publik.
- Dhe pastaj, për t’i dhënë qytetit një “pikë drite”, hapi një gropë përballë Katedrales “Nëna Terezë”.
Filloi punimet pa leje, pa plan, pa turp.
Kraterin e tij ndoshta as inxhinierët e NASA-s s’e kuptojnë pse ekziston,
por e kupton feja:
para xhamisë së Devollëve nuk hapet gropë…vetëm zemër.
- E mbrojti me mish e me shpirt kishën ilegale të Millosheviçit në oborrin e Universitetit, dhe e quajti “objekt të trashëgimisë”….ndërsa vetë, si pushtuesi serb, harroi të kërkonte leje për ndërtimet e veta.
- Performanca e tij është ekspozitë gropash.
“Prishtina e përjetimeve” e tij përjetohet, kryesisht, me këmbë të thyer.
- Ka zbuluar formulën e re të urbanizmit:
nëse flokët i mban pak të gjata e të lagura, shqipton “r” si “rr” dhe pi raki në çarshi….atëherë quhesh arkitekt i shpirtit, edhe pse qytetarët ecin nëpër baltë.
- Mashtrimi është projekti i tij publik.
Premtoi se do ta lidhte me ngrohtoren lagjen time, por s’e lidhi.
E lidhi, por i ktheu gypat…i drejtoi kah pallatet e tregtarëve e oligarkëve të Rojal-it.
- Përparim Rama është njëfarë Kazanove komunale:
në vend të dashurive, ka lidhje biznesi; në vend të ideve, ka tenderë.
- Në raportin e Auditorit të Shtetit, ka madje më shumë “gabime artistike” se në një ekspozitë kubiste.
Tenderë pa procedura.
Kontrata pa logjikë.
Firma që ringjallen si feniks pas çdo skandali.
- Në fakt, ai ka sjellë vetëm faturat e Devollëve dhe gropat e qytetit.
- Sa për mua…
Përparim Rama nuk e ka vendin në Londër, siç i tha kryeministri për një biletë njëkahëshe.
Ai duhet të përgjigjet pse na la në terr, pse e lyu qytetin me baltë, pse e mbuloi Prishtinën me mbeturina.
- Qentë endacakë i përdori si ‘ushtarë komunalë’, që kafshojnë gjithkë që ec vetëm në kryeqytet…dhe për ironi, qendra e tyre prapë është oborri i Universitetit.
⸻
Uran Ismaili
- Për të mos mbetur pas në garën për absurditet, kundërkandidati tjetër, Uran Ismaili, i ndërpret takimet për t’u falur.
I urren katundarët, por i do “vëllezërit e motrat” që Zoti i krijoi në katund.
- Në kafeterinë e tij u vranë dy veta. Gojëdhëna thonë se ishin “katundarë”.
- Urani falet, sepse kujton se Zoti e falë edhe për urrejtjen ndaj krijesave të Tij.
Por nuk mjafton të të falë Zoti…duhet të të falë viktima.
E me viktimën, ndoshta mund të takohesh vetëm në ahiret.
- Për të dëshmuar se nuk i urren më katundarët, ka ndryshuar madje dhe ngjyrën e zërit: tani flet si ‘katundar i penduar’.
- Në çdo fushatë, ai bërtet me mikrofon si imam:
“Vëllezër e motra, Prishtina ka nevojë për mua!”
Është hera e dytë që përpiqet të bëhet kryetar i katundarëve.
- Në partinë e tij, femrat mbulojnë çdo “cullak” që del në fushatë…jo cullakun me ide, por me shall.
- Partia Demokratike është bërë sërish parti myslimane, si pas luftës, kur agjëronin kolektivisht… se e kërkonte moda.
- E për ironi, Hajrullah Çekun e quajnë “arab”.
- Dhe ja paradoksi:
në Prizren, partia e Uranit kërkon votat e turqve,
ndërkohë që qytetarin e Prizrenit e quajnë turk.
⸻
Hajrulla Çeku
- Në këtë mes absurd, qëndron i qetë Hajrulla Çeku, “turku” nga Prizreni.
Por Hajra është shqiptar, thjesht me mbiemër që na kujton prejardhjen që duam ta harrojmë.
- Mediat nuk kanë argument tjetër kundër tij, përveç “Turk është!”
- Po frikësohen nga një mbiemër, ndërkohë që jetojmë në një qytet që s’i dihet etimologjia.
- Harrojnë se gjithçka që ka vlerë në këtë vend:
xhamitë, hamamet, urat, fontanat, çezmet, madje edhe vetë qytetet janë trashëgimi e pushtuesve që i tallin.
- Pa ta, shqiptarët s’do të kishin as trashëgimi për të ruajtur, as hije, as ujë, as burek me mish.
- Hajra është për mua “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi”.
E kam takuar në parkingun e Ministrisë çdo ditë, pas secilit shkrim timin kundër qeverisë Kurti…dhe asnjëherë nuk më ka shikuar shtrembër.
Më quan shkrimtare.
- Zemërimi im me qeverinë Kurti ishte i thjeshtë:
s’e kuptoja si punon njeriu me “armiq”.
Por Hajra di të punojë edhe me kundërshtarët: ka ndikim zbutës, si një pajtues i heshtur i gjaqeve,
si dikush që “ta ftoh gjakun”.
- Ai nuk flet me gotë rakie, as me predikim për ahiret,
por e ka guximin që vjen nga qetësia:
vetë e ka lajmëruar veten në drejtësi: “Hetomëni.”
- Tani, Hajrulla Çeku, “turku” nga Prizreni, luftohet gramatikisht nga mediat e oligarkëve dhe opozita…me një zanore, me zanoren “o”: jo Çeku, po Çeko.
Nuk kanë gjetur armë tjetër kundër tij.
- Në Prishtinën e gropave, ndoshta vetëm një “turk” mund ta mbushë me dritë.
- Hajra nuk bërtet “më don Zoti”, sepse e di që Zoti dëgjon në heshtje, jo në fushata PR-i.
⸻
Kimete Berisha
- Unë do të votoj “turkun”.
Në këtë qytet që s’e di a është kryeqytet, kantier apo vendlindje fantazmash,
më mirë ‘turku’ që punon në heshtje,
se sa Përparimi që bie në gropa,
apo Urani që falet në to.
P.S.
Nëse dritat ndizen ndonjëherë, mos e kërkoni Përparim Ramën…ndoshta s’ka dalë ende nga ndonjë nga gropat e tij.









