Humanisti i njohur, Halil Kastrati, ka njoftuar ndërtimin e shtëpisë së Driton Pllanës, që iu dogj mbrëmë.
Dritonit, djalit të martirit Sabri Pllana, mbrëmë iu dogj shtëpia në Dolak të Vushtrrisë, teksa familja e tij po jetonte në kushte jo të mira.
“Kjo familje dikur dha më të shtrenjtin për lirinë e Kosovës, sot është radha jonë të mos i lëmë vetëm!” u shpreh Kastrati.
Ky është njoftimi i plotë i tij:
SHTËPIA DO TI BËHET E RE!
Mbrëmë flakët ia dogjën shtëpinë, por shpresa po i kthehet prapë.
Pas rastit të rëndë në fshatin Dolak të Vushtrrisë, ku u dogj shtëpia e Driton Pllanës, djalit të vetëm të martirit Sabri Hashim Pllana, ne kemi marrë përsipër ndërtimin e shtëpisë së re për familjen e tij.
Kjo familje dikur dha më të shtrenjtin për lirinë e Kosovës, sot është radha jonë të mos i lëmë vetëm!
Me ndihmën e Zotit dhe njerëzve bamirës, kjo shtëpi do të ndërtohet përsëri!
Bamirës, Zoti kurrë mos ju humbtë!









