Kylian Mbappé konsiderohet sot një nga futbollistët më të mirë në botë, por rruga drejt majës, sipas babait të tij, nuk ka qenë aspak e lehtë. Në një intervistë të dhënë këtë të premte në një emision televiziv francez, Vilfried Mbappé theksoi sakrificat personale dhe familjare që kanë shoqëruar karrierën e hershme të sulmuesit aktual të Real Madridit dhe të përfaqësueses franceze.
Largimi nga shtëpia në moshë të re
Vilfried Mbappé vuri në dukje se djali i tij u detyrua të largohej nga shtëpia në një moshë shumë të re për të ndjekur ëndrrën në futboll.
“Dua të nënvizoj sakrificat – tha ai – flasim për sakrificat në nivel njerëzor kur ke një djalë që luan futboll. E kam parë Kylian të largohet nga shtëpia kur ishte 12-13 vjeç. Askush nuk e merr parasysh këtë.”
Sipas tij, shumë njerëz shohin vetëm suksesin aktual të lojtarit, por nuk janë të vetëdijshëm për çfarë është lënë pas. “Tani që është një produkt i formuar, njerëzit thonë: ‘është bërë kështu apo ashtu’. Por ka shumë gjëra që nuk i kemi më dhe që nuk do t’i zëvendësojmë kurrë”, u shpreh ai.
Ai shtoi se jo shumë prindër do të ishin të gatshëm të përballonin një ndarje të tillë në moshë kaq të re. “Kush është gati të humbasë fëmijën në moshën 13-14 vjeç? Nuk ka baba apo nënë që të thotë: ‘djali im u largua nga shtëpia 13 vjeç dhe nuk u kthye më’. Kjo është ajo që ka ndodhur.”
Projekti personal dhe rruga drejt elitës
Vilfried Mbappé e cilësoi këtë proces si pjesë të një projekti të qartë sportiv, që më vonë e çoi Kylian në nivelet më të larta të futbollit evropian, përfshirë aktivizimin me Monakon në moshë të re. Sipas tij, jo të gjithë e kuptojnë dimensionin e sakrificës që qëndron pas këtij suksesi.
“Është një histori e bukur, por kur ua shpjegoj disa prindërve, nuk e kuptojnë. Njerëzit nuk mund ta imagjinojnë”, deklaroi ai.
Zidane dhe pankina e Francës
Në intervistë, babai i sulmuesit u ndal edhe te pankina e kombëtares franceze dhe mundësia që Zinedine Zidane të marrë drejtimin e saj në të ardhmen.
“Nuk e di nëse Zidane është kandidati ideal, por do të jetë shumë i mirë. Këtë do ta mësojmë më vonë. Do të jetë shumë e vështirë të ndiqet shembulli i Didier Deschamps. Nuk duhet të harrojmë çfarë ka arritur dhe historinë që do të lërë pas,” u shpreh Vilfried Mbappé.
Ai ndau gjithashtu një episod nga fëmijëria e Kylian, kur pati mundësinë të takonte nga afër legjendën franceze, në kohën kur Zidane ishte pjesë e Real Madridit.
“Kur ishte i vogël, Kylian ishte shumë i gjallë dhe bënte shumë zhurmë. Por kur Zidane hapi derën, mbeti pa fjalë. Që nga ajo ditë e pashë ndryshe,” tregoi ai, duke e cilësuar ish-mesfushorin si “një njeri të këndshëm” dhe “krejt të kundërt nga zhgënjimet që ndonjëherë mund të krijohen kur njeh nga afër figura publike”.
Sakrifica pas suksesit
Deklaratat e Vilfried Mbappé hedhin dritë mbi anën më pak të dukshme të suksesit sportiv: vendimet e vështira në moshë të re dhe koston personale që shoqëron arritjen e majave në futbollin ndërkombëtar.










