Në ditën e nëntë të konfliktit në Lindjen e Mesme, Asambleja e Ekspertëve të Iranit zbuloi se ka vendosur për pasardhësin e Ali Khameneit, djalin e tij Mojtaba.
Paralajmërimin e dha në një video të transmetuar nga mediat iraniane, Hosseinali Eshkevari, i cili tha se “çështja e përcaktimit të udhëheqje është përfunduar dhe emri i Khameneit do të vazhdojë”.
Ai theksoi se vota është hedhur nga 88 anëtarët e Këshillit dhe se nuk ka nevojë për shqetësim.
56-vjeçari është një klerik i rangut të mesëm që nuk mban një rol zyrtar në regjim, por që dihet se ka lidhje të forta me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka qenë kundër mënyrës së zgjedhjes të liderit të ri suprem, duke deklaruar se emërimi i Khameneit si pasardhës i babait të tij do të ishte “i papranueshëm” për të dhe se një miratim duhet të merret dhe nga SHBA-të.
Trump, deklaroi se nuk është më i interesuar për negociata të mëtejshme me Iranin, ndërsa theksoi se lideri i Iranit “nuk do të zgjasë shumë”. “Nuk mendoj se do të mbetet më ndonjë njeri atje që të mund të na thotë ‘Ne dorëzohemi’”.
Ndërsa, shpërthime të forta u dëgjuan ne Iran mbrëmjen e së dielës. Teherani është i mbuluar nga retë toksike, kështu që iranianët po jetojnë në një situatë frike dhe ankthi për atë që do të vijë dhe atë që kanë parë në 24 orët e fundit.
Në shënjestër të sulmeve izraelito-amerikane janë infrastruktura kritike, veçanërisht ndaj depozitave të karburantit në Teheran. Qeveria e Iranit ka njoftuar një valë të re të asaj që e quan Operacioni Premtimi i Vërtetë, me raketa dhe dronë të lëshuar kundër Izraelit dhe objektivave të tjerë në Lindjen e Mesme.
Në shënjestër, veç Izraelit, janë edhe Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Bahreini dhe Kuvajti. Një ndërtesë qeveritare në Kuvajt u përfshi nga flakët gjatë natës pas një sulmi me dron. Ndërsa dy persona, shtetas të huaj, mbetën të vdekur dhe 12 të tjerë të plagosur në Arabinë Saudite nga një predhë që ra mbi një zonë të banuar.
Në të njëjtën kohë, ushtria izraelite ka vijuar fushatën ushtarake ndaj Hezbollahut. Të paktën 16 persona janë vrarë nga bombardimet e fundit, duke e çuar numrin e viktimave në Liban në 394.
Kush është Mojtaba Khamenei?
Mojtaba Khamenei është zgjedhur Lideri i ri Suprem i Iranit, duke zëvendësuar të atin, Ajatollah Ali Khamenei i cili u vra nga sulmet amerikano-izraelite më 28 shkurt.
Ai u zgjodh nga Asambleja e Ekspertëve të Iranit, sipas mediave shtetërore.
I lindur më 8 shtator 1969 në qytetin verilindor të Mashhadit, Mojtaba është i dyti nga gjashtë fëmijët e Ali Khameneit.
Ai përfundoi arsimin e mesëm në Shkollën Fetare Alavi në Teheran, shkruan BBC.
Në moshën 17 vjeç, Mojtaba shërbeu në ushtri për disa periudha të shkurtra gjatë Luftës Iran-Irak, sipas mediave iraniane. Konflikti i përgjakshëm tetëvjeçar e bëri regjimin edhe më dyshues ndaj SHBA-së dhe Perëndimit, të cilët mbështetën Irakun.
Në vitin 1999, Mojtaba shkoi në Qom, një qytet i shenjtë që konsiderohet si një qendër e rëndësishme e teologjisë shiite, për të vazhduar studimet e tij fetare. Vlen të përmendet se ai nuk mbante veshje kleriku deri në këtë kohë.
Ndryshe nga i ati, Mojtaba ka mbajtur kryesisht një profil të ulët. Ai nuk ka mbajtur kurrë ndonjë post qeveritar, as nuk ka dhënë fjalime apo intervista publike. Vetëm një numër i kufizuar fotosh dhe videosh të tij janë publikuar.









