Petrit Kryeziu, kryeprokuror i Prizrenit, sot ishte emri më i lakuar në media dhe rrjete sociale. Kryeziu, si rrallëkush ndonjëherë, ka udhëhequr aksionin më të madh ndonjëherë në lidhje me manipulimet me vota.
Kryeziu ka udhëhequr aksionin bashkë me Policinë e Kosovës, ku u prangosën dhe u dërguan në paraburgim 109 persona nën dyshimin për manipulim me vota në Prizren.
Në mesin e të arrestuarve është edhe djali i Nait Hasanit, deputet i zgjedhur i PDK-së, të cilit iu gjatë rinumërimit iu hoqën mbi 3 mijë e 300 vota, të cilat i ishin përshkruar rrejshëm.
Kush është Kryeziu?
Kryeziu është kryeprokuror i Prizrenit. Në të kaluarën, Kryeziu ka punuar si gazetar në BIRN, ku ka shkëlqyer me hulumtime dhe gazetari hulumtuese në kuadër të emisionit të njohur “Drejtësia në Kosovë”.
Kryeziu është djali i dëshmorit të kombit, Alush Kryeziu, i cili ishte vrarë në dyluftim me policët e Serbisë në Ortakoll të Prizrenit në vitin 1992.
Kryeziu është prokuror i gjeneratës së re, ndërsa në të kaluarën ka ndjekur disa raste të mëdha dhe të ndieshme. Në karrieren e tij si prokuror, Kryeziu ka hetuar dhe arrestuar disa persona nën dyshimin për falsifikim të diplomave, ka hetuar gurthyesit dhe, së fundmi, ishte pjesë e hetimeve ndaj disa të dyshuarve për keqpërdorim në Byronë e Sigurimeve të Kosovës.
Kryeziu ka të përfunduar masterin në shkenca penale.
Aksioni i sotëm është përshëndetur nga qytetarët në rrjete sociale, të cilët kanë lavdëruar punën dhe profesionalizmin e Kryeziut.










