spot_img
spot_img
Tuesday, March 3, 2026
spot_img
spot_img

Ditari politik i Enver Hoxhës: Sikur mos të mjaftonte agresioni i Izraelit, qeveritë britanike dhe franceze, i kanë dërguar…

Plot shtatë dekada më parë, në nëntorin e vitit 1956, shpërtheu një konflikt i armatosur në Lindjen e Mesme, pasi Izraeli, i mbështetur nga Franca dhe Britania e Madhe, ndërmori një sërë bombardimesh ndaj Egjiptit, pasi ky i fundit, nën udhëheqjen e Gamal Abdel Naserit, vendosi shtetëzimin e Kanalit të Suezit, një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë.

Kjo gjë u bë lajmi kryesorë në të gjitha mediat botërore dhe çuditërisht tërhoqi vëmendjen edhe edhe të udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, i cili do t’i kushtonte faqe të tëra në ditarin e tij politik. Përveç shënimeve të mbajtura në ditarin e tij politik, konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Egjiptit, Enver Hoxha do t’i kushtonte edhe një vëmendje të veçantë në raportin e mbajtur prej tij në plenumin e III-të të Komitetit Qendror të PPSH-së i cili i zhvilloi punimet disa muaj më vonë (shkurt 1957), ku në pikën mbi situatën ndërkombëtare, ai komentoi dhe analizoi edhe ngjarjet në Lindjen e Mesme.

Lidhur me këto e të tjera ngjarje në arenën ndërkombëtare të asaj kohe, do njihemi nëpërmjet ditarit politik të Enver Hoxhës, të cilat fillojnë me bombardimet e Kajros nga ana e Izraelit dhe përfundojnë me analizat e Plenumit të Komitetit Qendror të PPSH-së mbi fatet e Lindjes së Mesme. Përmes një gjuhe të ashpër dhe të drejtpërdrejtë, këto shënime na kthejnë pas në kohë, duke na treguar se si udhëheqësi kryesor komunist i një vend të vogël ballkanik, ndiqte me ankth çdo lëvizje në shkretëtirën e Sinait. Një udhëtim mes ultimatumeve, demonstratave popullore dhe përplasjeve të fuqive të mëdha, që hodhën themelet e botës që njohim sot.

Jo vetëm kaq, por në ato shënime dhe analiza të ditarit politik të Enver Hoxhës, do të shohim si si ai dënon hapur ndërhyrjen ushtarake të Izraelit, Britanisë dhe Francës në Sinai dhe Kanalin e Suezit (Tetor-Nëntor 1956) e gjithashtu mbështetja e plotë e tij për Presidentin Naser dhe popullin egjiptian, duke e konsideruar luftën e tyre si një mbrojtje të sovranitetit kombëtar.

Në shënimet e tij, udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, nuk ka harruar edhe kritika ndaj OKB-së, ku ai shpreh skepticizmin e tij ndaj rolit të Kombeve të Bashkuara, duke i parë rezolutat e tyre, si “kompromise që favorizojnë agresorët”, si dhe sulmet ndaj SHBA-ës, duke kundërshtuar “Doktrinën Ajzenhauer”. Aty Hoxha analizon edhe SHBA-ës dhe politikën e tyre të jashtme me ngjarjet e vitit 1957, duke i konsideruar ato si “një përpjekje për të zëvendësuar kolonializmin e vjetër (anglo-francez), me një formë të re varësie ekonomike dhe ushtarake”. Lidhur me këtë e të tjera, do njihemi në këtë shkrim, që Memorie.al e publikon për herë të parë, në kuadër të ngjarjeve aktuale në Lindjen e Mesme.

PJESË NGA DITARI POLITIK I ENVER HOXHËS, NËNTOR 1956


1 NËNTOR 1956

Radiot e huaja dhe azhanset e ATSH-së informojnë për një provokacion shumë të rrezikshëm e, për një gjendje shumë të rëndë në Lindjen e Mesme, për agresionin ushtarak të Izraelit kundër Egjiptit. Që pardje, forcat ushtarake izraelite, kanë kaluar vijën e demarkacionit të armëpushimit Egjipt-Izrael dhe kanë shpërthyer një operacion në shkallë të gjerë në gadishullin e Sinait. Siç njoftohet, po zhvillohen luftime të ashpra. Ushtria egjiptiane po i reziston invadimit izraelit. Sikur të mos mjaftonte agresioni i Izraelit, qeveritë britanike dhe franceze, nën pretekstin e sigurimit të kalimit nëpër kanalin e Suezit, i kanë dërguar një ultimatum qeverisë egjiptiane, sa për sy e faqe edhe asaj izraelite, me kërkesën që të ndalen “të gjitha veprimet luftarake në tokë, det e ajër dhe të tërhiqen forcat ushtarake ndërluftuese në një distancë prej 16 kilometrash nga kanali i Suezit”.

“Në qoftë se nuk do të veprohet kështu brenda 12 orëve – kërcënojnë anglo-francezët, – njësitë ushtarake të Britanisë dhe të Francës, do të ndërhyjnë me çfarëdo force që të jetë e nevojshme, për të siguruar zbatimin e asaj që kërkohet në ultimatum”. Ultimatumi, që nuk bën asnjë dallim midis agresorit dhe viktimës së tij, është një provë e hapët e faktit që agresioni i tanishëm ushtarak izraelit kundër Egjiptit, është një agresion i përbashkët britaniko-francez e Izraelit. Unë kështu e gjykoj këtë punë. Ne do të mbrojmë e do të mbështetim luftën e popullit egjiptian dhe të popujve të tjerë arabë, kundër agresorit izraelit dhe padronëve të tij cilët do që të jenë ata.

Në të njëjtën kohë do të marrim masat e nevojshme, që kërkon situata, për të mbrojtur vendin tonë nga pasojat që mund të sjellë zhvillimi i ngjarjeve në pellgun e Mesdheut. Agresioni i Izraelit kundër Egjiptit, po merr proporcione të gjera. Sapo presidenti Naser thirri ambasadorin britanik në Kajro dhe i njoftoi se qeveria egjiptiane, e hidhte poshtë ultimatumin britaniko-francez, si një akt armiqësor e që prek të drejtën, nderin dhe sovranitetin e vendit të tij, radiot dhe agjencitë e lajmeve njoftuan, se një numër i madh aeroplanësh bombardues anglezë e francezë, filluan bombardimin e Kajros, Aleksandrisë, Port-Saidit dhe të Ismailias. Turp i madh për imperialistët dhe shërbëtorët e tyre! Por ata nuk kanë as turp, as cipë.

E PREMTE 2 NËNTOR 1956

Sot u botua Deklarata e Qeverisë sonë, me anë të së cilës denoncojmë me vendosmëri aktin kriminal të agresionit ushtarak anglo-franko-izraelit kundër Egjiptit. Në emër të popullit tonë, deklarojmë, gjithashtu, se mbështetim plotësisht luftën e drejtë të qeverisë dhe të popullit egjiptian, për të mbrojtur vendin e tyre. Dhamë porosi që të organizohen manifestime e demonstrata popullore në të gjithë vendin, për të dënuar agresionin ushtarak imperialist e veprimet e bombardimit mbi qytetet egjiptiane dhe për të treguar solidaritetin e popullit tonë, me popullin egjiptian.

Më vjen shumë keq për popullin e varfër por punëtor egjiptian, që ka rënë viktimë e një agresioni barbar nga fuqitë imperialiste dhe shërbëtori i tyre, Izraeli. Mësova sot nga agjencitë e lajmeve, se anglezët e francezët vazhdojnë të hedhin bomba djegëse e eksplozive mbi qytetet egjiptiane, duke vrarë e duke plagosur me dhjetëra njerëz, midis popullsisë së pambrojtur. Po këto agjenci njoftojnë se qeveria egjiptiane, preu dje marrëdhëniet diplomatike me Britaninë dhe me Francën dhe e shpalli veten e saj në gjendje lufte, me të dy këto vende agresore imperialiste. Ky është një veprim shumë i drejtë, i vendosur dhe dinjitoz i qeverisë egjiptiane. Ne e përshëndetim atë.

E MARTE 6 NËNTOR 1956

Agresioni ushtarak anglo-franko-izraelit, bombardimet e egra nga ajri dhe vrasja e njerëzve të pambrojtur në qytetet egjiptiane nga aviacioni ushtarak anglo-francez, kanë shkaktuar një kundërveprim të madh e të njëzëshëm në opinionin publik përparimtar botëror e, sidomos midis masave punonjëse. Nga sa dëgjoj nga radiot e huaja dhe nga sa lexoj në azhanset e ATSH-së, në shumicën dërrmuese të vendeve të botës në Evropë, në Afrikë, në Azi e në Amerikë, po zhvillohen demonstrata masive popullore për të dënuar agresorët, për të kërkuar tërheqjen e tyre nga Egjipti dhe për të shprehur solidaritet me luftën e drejtë të popullit egjiptian. Pra kudo po thuhet: “Larg duart nga Egjipti”. Kjo është një shenjë e mirë!

Agresioni ushtarak imperialist kundër Egjiptit, po diskutohet këto ditë gjerësisht dhe po dënohet ashpër edhe në punimet e sesionit të jashtëzakonshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Por në këtë “kuvend të popujve”, siç duan ta quajnë disa, në të njëjtën kohë po bëhen përpjekje për të shfajësuar agresorët imperialistë dhe Izraelin, për t’i shpëtuar ato nga dënimi e nga përgjegjësia dhe për ta detyruar Egjiptin të pranojë rezoluta e kompromise, midis tyre edhe një “rekomandim” armëpushimi. Kjo është një shenjë e keqe.

E SHTUNE 10 NËNTOR 1956

Pas pranimit të rekomandimit të OKB-së për vendosjen e një armëpushimi me agresorët izraelitë, qeveria egjiptiane bëri dje një tërheqje tjetër. Ajo pranoi një propozim, a rekomandim, të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Hamarskjold, për krijimin dhe vendosjen e forcave policore ndërkombëtare në tokat që ndajnë forcat ushtarake agresive izraelite dhe forcat ushtarake egjiptiane për “të ruajtur e mbajtur qetësinë”! Ky veprim duket haptazi që është në favor të agresorëve izraelitë, të cilët refuzojnë të tërhiqen nga tokat e pushtuara egjiptiane dhe në dëm të sovranitetit të Egjiptit. Të shohim tani ç’do të bëhet e ç’do të kurdiset më tej për të shpëtuar nga dënimi agresorët izraelitë e, padronët e tyre imperialistë.

E DIEL 6 JANAR 1957

Dje presidenti Ajzenhauer në një mbledhje të posaçme të përbashkët të Dhomës dhe të Senatit lexoi mesazhin e tij mbi politikën e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme. Në mes të tjerash thuhej se politika amerikane do të forcojë “pavarësinë kombëtare” të Lindjes së Mesme. Pallavra. Doktrina e presidentit amerikan, që ka për qëllim nënshtrimin e vendeve të Lindjes së Afërt e të Mesme, përmban në vetvete farën e një lufte të re. Imperialistët kujtojnë se gjithçka varet nga ata. Por jo. Lëvizja çlirimtare e popujve, që ka marrë vrull të madh në kolonitë, do të triumfojë e s’mund ta ndalin dot imperialistët as me dollarë, as me topa.

“MBI GJENDJEN NDËRKOMBËTARE DHE DETYRAT E PARTISË”

Nga raporti i mbajtur në Plenumin III-të të Komitetit Qendror të PPSH-së

13 shkurt 1957

AGRESIONI IMPERIALIST KUNDËR EGJIPTIT

Një nga karakteristikat e gjendjes se sotme ndërkombëtare, është ashpërsimi i kontradiktave midis imperializmit dhe vendeve që quhen asnjanëse. Siç dihet, fitorja e Bashkimit Sovjetik kundër fashizmit dhe fitorja e socializmit në Kinë, krijimi i sistemit botëror të socializmit, kanë pasur një influencë shumë të madhe dhe të drejtpërdrejtë në zgjimin e popujve të shtypur e kolonialë, në ngritjen e tyre në luftë për të fituar lirinë dhe pavarësinë, kundër kolonizatorëve imperialistë.

Shtetet e vendeve që janë çliruar nga zgjedha imperialiste, si Egjipti, Siria etj., janë shtete borgjeze, por nuk janë shtete imperialiste; ato ndjekin politikën e ruajtjes se pavarësisë kombëtare dhe të luftës kundër imperializmit e kolonializmit. Lufta kundër kolonializmit e imperializmit, i afron këto shtete me Bashkimin Sovjetik dhe me kampin e socializmit përgjithësisht, por këto shtete s’janë socialiste, s’bëjnë pjesë në kampin socialist. Prandaj këto shtete quhen shtete të pavarura, asnjanëse.

Konferenca e Bandungut e vendeve të Azisë e të Afrikës, përcaktoi orientimin e tyre të përgjithshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare: kundër kolonializmit, për ruajtjen e paqes, për bashkëjetesën paqësore dhe për bashkëpunimin midis shteteve me sisteme të ndryshme shoqërore. Objektivisht qëndrimi i tyre është kundër imperializmit. Popujt e Lindjes se Afërme e të Mesme, po zgjerojnë luftën e tyre për të fituar dhe për të përforcuar pavarësinë. Kjo luftë u ka shkaktuar dëme shumë të mëdha kolonizatorëve. Shumë vende arabe janë çliruar dhe të tjerat po luftojnë për të fituar lirinë.

Sistemi kolonial është ne shthurje të plotë. Kolonializmi francez po jep shpirt. Tunizia dhe Maroku fituan pavarësinë e tyre, kurse Algjeria ka kohë që është në zjarr e në flakë. Populli algjerian lufton me heroizëm për të hequr qafe zgjedhën e urryer të kolonizatorëve francezë, të cilët, duke përdorur liderët e djathtë të partive socialiste franceze, me Giviolenë në krye, kanë shpërthyer atje një terror të pashembullt. Gati gjysma e ushtrisë franceze është angazhuar në Algjeri. Socialistët francezë u demaskuan plotësisht, si vegla qorre të imperializmit dhe tradhtarë në Shoqërinë e Kanalit të Suezit, e cila përdorej nga fuqitë imperialiste si një mjet shfrytëzimi e shtypjeje, kundër popullit egjiptian.

Lufta e Egjiptit dhe e popujve arabë për pavarësi, u shkakton dëme të rënda sidomos dy prej fuqive me të mëdha kolonialiste, Anglisë dhe Francës, monopolet e të cilave po humbasin super-fitimet kolosale që nxjerrin nga grabitja e pasurive të mëdha të këtyre vendeve. Mjafton të përmendim se vendet e Lindjes se Mesme, kanë tri të katërtat e sasisë së vajgurit të njohur në botën kapitaliste. Njëkohësisht duhet theksuar se vendet e Lindjes së Afërme e të Mesme, kanë një rëndësi të madhe strategjike në planet e përgjithshme agresive të imperializmit. Për të gjitha këto arsye, shtetëzimi i Shoqërisë së Kanalit të Suezit, u gjet prej imperialistëve si shkas për të filluar sulmin kundër të gjitha vendeve arabe.

Dihet se sulmi i Izraelit kundër Egjiptit, nuk qe gjë tjetër veçse një provokacion për të arsyetuar ndërhyrjen imperialiste. Në të vërtetë janë imperialistët anglezë e francezë, ata që organizuan dhe shpërthyen agresionin kundër Egjiptit, ndërsa Izraeli s’është veçse koburja në duart e imperialistëve anglo-francezë dje, dhe në dorën e imperialistëve amerikanë sot. Duke sulmuar Egjiptin, imperialistët anglo-francezë donin t’i hiqnin atij zotërimin e kanalit të Suezit, të mposhtnin rezistencën e Egjiptit dhe, duke mposhtur rezistencën e njërit prej popujve më të mëdhenj arabë, të demoralizonin shtetet e tjera arabe, të çelnin kështu rrugën për të zhdukur pavarësinë e tyre kombëtare dhe të rivendosnin sundimin kolonial.

Sulmi kundër Egjiptit ishte hapi i parë i këtij plani. Siç dihet, agresioni anglo-franko-izraelit kundër Egjiptit, dështoi. Por imperialistët nuk heqin dorë nga planet e tyre për të rivendosur sistemin kolonialist në këto vende. Në realizimin e këtij plani, rolin kryesor, pas dështimit të Anglisë dhe të Francës, e luajnë imperialistët amerikanë. Për këtë flet qartë e ashtuquajtura doktrinë Ajzenhauer. Presidenti Ajzenhauer, në mesazhin drejtuar kongresit, paraqiti planin e tij, me të cilin u ofron vendeve të Lindjes se Afërme e të Mesme, “ndihmë ekonomike”, “ndihmë ushtarake| dhe “përdorimin e forcave të armatosura amerikane” në këto vende, për t’i mbrojtur gjoja nga rreziku i komunizmit ndërkombëtar. Në të vërtetë, ky është një plan i ri për skllavërimin e popujve arabë.

Shtetet e Bashkuara te Amerikës, në kohën kur me të vërtetë ishte në rrezik ekzistenca e këtyre vendeve, kur u sulmua Egjipti nga ushtritë imperialiste anglo-franko-izraelite, nuk ndërmorën asnjë masë në mbrojtje të popullit egjiptian. Sot, kur pozitat e të dy vendeve kryesore kolonialiste, të Anglisë dhe të Francës, u dobësuan, imperializmi amerikan nuk vonoi të shkojë deri atje sa, nën maskën e ndihmës kundër një rreziku që nuk ekziston, të pregatitë ndërhyrjen ushtarake amerikane në vendet arabe. Kuptohet se qëllimi i vërtetë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk është mbrojtja e popujve arabë nga “komunizmi ndërkombëtar”, por marrja nga ana e tij e pozitave sunduese ekonomike e politike në këto vende, pasi u dëbuan andej Anglia dhe Franca.

Me vendosmëri luftojnë për forcimin e pavarësisë së tyre vendet më të mëdha arabe. Duke dashur të përforcojë pavarësinë e tij, Egjipti kohët e fundit shtetëzoi Kanalin e Suezit, gjë e cila përbën një rrezik të madh për paqen në Lindjen e Afërme dhe në botë. Agresioni anglo-franko-izraelit kundër Egjiptit dhe fitorja e këtij të fundit, ashpërsuan kontradiktat midis popujve afrikano-aziatikë dhe imperializmit. Ata e dënuan agresionin dhe përkrahen Egjiptin. Kjo fitore rriti besimin ne forcat e tyre, në çështjen e tyre të drejtë; ajo shtoi urrejtjen e tyre kundër imperializmit. Me qëndrimin demagogjik që mbajtën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kundër agresionit anglo-franko-izraelit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës synonin të rritnin influencën e tyre në këto vende.

Por shpallja e “Doktrinës Ajzenhauer” do ta acarojë luftën e këtyre popujve kundër imperializmit, do t’i ngrejë ata edhe kundër imperializmit amerikan dhe do të shpejtojë procesin e çlirimit te tyre. Popujt arabë nuk do të lejojnë të futen nën një zgjedhë të re, sado që të mundohen imperialistët ta fshehin atë nën maskën e demagogjisë. Rezistenca e popujve të pavarur afrikano-aziatikë kundër imperializmit, gëzon përkrahjen e Bashkimit Sovjetik, të Kinës e të të gjitha vendeve të Kampit Socialist, si dhe të forcave paqedashëse të botës. Faktet po tregojnë gjithnjë e më shumë se situata në këto vende, nuk mori kursin që dëshironin të impononin imperialistët. Lufta e tyre kundër imperializmit do të acarohet deri në asgjësimin e plotë të kolonializmit.

Miqësia në mes të popujve arabë dhe vendeve të kampit të socializmit me Bashkimin Sovjetik në krye është një fitore e shkëlqyer, që është arritur në sajë të politikës paqedashëse të vendeve të kampit të socializmit. Janë vendosur marrëdhënie miqësore në mes të shtetit tonë dhe Republikës së Indisë, të Egjiptit, të Sudanit, si edhe me Sirinë, Libanin, Tunizinë etj. Më përpara, vendin tonë s’e peshonte njeri, sepse ai ishte një koloni ne duart e ujqërve imperialistë. Sot opinioni i shumë vendeve afrikano-aziatike dhe udhëheqës të shquar të këtyre vendeve, janë shprehur me simpati për popullin tonë. Ne mendojmë se Shqipëria u intereson në mënyrë të veçantë popujve arabë, për disa arsye të posaçme, por të një rëndësie të dorës së parë, siç janë:

1) Çështja e çlirimit të popullit tonë të vogël nga zgjedha e kolonizatorëve me luftë të armatosur dhe me ndihmën e Bashkimit Sovjetik, çështje që imperialistët dhe kolonizatorët kërkojnë ta errësojnë.

2) Çështja e afirmimit të shtetit tonë të demokracisë popullore, si një shtet i pavarur, sovran, shtet që tregoi qëndrueshmëri të madhe, që u rezistoi me heroizëm dhe me sukses të gjitha orvatjeve të panumërta të imperialistëve dhe të shërbëtorëve të tyre, të cilët brenda këtyre 12 vjetëve, u përpoqën t’i merrnin popullit fuqinë nga duart, por dështuan në çdo përpjekje të tyre, sepse populli luftoi me heroizëm, pse ishte vigjilent dhe pse shteti ynë kishte mbrojtjen e Bashkimit Sovjetik.

3) Përparimet e mëdha të popullit tonë në ekonomi, në kulturë, në arsim, në çështjet sociale, përmirësimi i jetës së popullit dhe vrulli i pandalshëm i tij për ndërtimin e socializmit, nën udhëheqjen e Partisë së Punës, Parti marksiste-leniniste, kundër së cilës janë përqendruar bateri të mëdha të imperialistëve, të anti-marksistëve, të revizionistëve, të trockistëve e të tjerë.

4) Për opinionin e vendeve arabe është interesant fakti, se si në demokracinë popullore të Shqipërisë, ku popullsia në shumicën dërmuese ka qenë e besimit mysliman dhe ku shumë zakone e mënyra jetese kanë qenë të ngjashme me të atyre (pse si ne dhe ata kemi vuajtur nën zgjedhën e egër të osmanlinjve, shekuj me radhë), është bërë ky përparim i madh, janë zhdukur mbeturinat e këqija të së kaluarës së hidhur, është zhdukur analfabetizmi, është krijuar një industri moderne socialiste, po ndërtohet rendi socialist në fshat dhe gratë kane hequr perçen dhe shteti, duke qenë afetar i vendosur, toleron dhe nuk prek fenë dhe ndjenjat e besimit të popullit.

Të gjitha këto dhe të tjera, krijojnë në opinionin përparimtar arab, interesim për vendin tonë dhe njëkohësisht një dashuri e simpati të madhe për popullin tonë. Ne i kemi të gjitha mundësitë ta bëjmë tani të njohur edhe më shumë realitetin tonë shqiptar në vendet arabe etj., dhe sigurisht me forcat tona të japim dhe ne kontributin tonë modest, në çelnikosjen e miqësisë së këtyre popujve me popujt e Kampit Socialist. Shembulli i Shqipërisë u shërben këtyre vendeve që ta shohin se marksizëm-leninizmi është fari ndriçues i jetës së begatshme e të lirë të popujve. Shembull për këtë është vete ekzistenca dhe jeta e lumtur dhe e begatshme e një populli të vogël, siç është populli i vogël shqiptar, që rron i lirë, sovran, i nderuar, i respektuar dhe me të gjitha të drejtat, ashtu si edhe një shtet i madh. / Memorie.al

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit