Njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit Ibrahim Rugova, Adnan Merovci, ka publikuar një libër-ditar me detaje nga Konferenca e Rambujesë.
Në librin “Kështjella e (mos) marrëveshjes”, ai i kthehet një teme të shumëkomentuar, duke rrëfyer detaje se si lideri i delegacionit kosovar në Rambuje, Hashim Thaçi, kishte udhëtuar me bomba.
Merovci kishte mbajtur shënime në ditar gjatë vitit 1999, të cilat i ka përfshirë në këtë libër.
Ai fillimisht tregon se gjatë këtij fluturimi me aeroplan ushtarak nuk kishte kontrolle as nga policia dhe as nga dogana.
“Siç edhe ndodh në raste të tilla, kur fluturimet janë me destinim të caktuar dhe fluturohet me aeroplan ushtarak, udhëtarët nuk kontrollohen fare, as nga policia e as nga dogana siç ndodh në udhëtimet tjera. Shërbimet serbe (policia dhe dogana) qëndronin në vendet e tyre duke vëzhguar kalimet tona dhe pothuajse fare nuk merreshin me ne“, shkruan Merovci.
Ai më tej përshkruan nisjen e delegacionit drejt Parisit dhe përbërjen e tij.
“Aeroplani ushtarak për në Paris u nis në orën 16:00. Në aeroplan jemi: Ibrahim RUGOVA, Hashim THAÇI, Rexhep QOSJA, Fehmi AGANI, Edita TAHIRI, Mehmet HAJIRIZI, Hydajet HYSENI, Idriz AJETI, Bajram KOSUMI, Veton SURROI, Blerim SHALA, Jakup KRASNIQI, Ramë BUJA, Azem SYLA, Adnan MEROVCI, Skënder HYSENI, Ilir DUGOLLI, Arsim BAJRAMI, Ilaz KURTESHI, Tadej RODIQI, Bujar DUGOLLI, Bukurije GJONBALAJ, Gjyljeta MUSHKOLAJ, Svetlana Lule BRECA, Florina KRASNIQI, Shën BËRNS, Zhak UNCINGER dhe një ndërkombëtar tjetër, emri i të cilit nuk më kujtohet“, shkruan ai.
Sipas tij, pas disa orësh fluturim, aeroplani aterroi në aeroportin ushtarak të Klagenfurtit në Austri për furnizim me karburant.
“Në hollin e aeroportit ushtarak të Klagenfurtit, i cili nuk ka njerëz as personel tjetër, dolëm që të gjithë dhe shfrytëzuam rastin të pimë kafe. Derisa po rrija me RUGOVËN dhe AGANIN, m’u afrua THAÇI. Me humor i thashë: “Je ba shumë paqësor! E lëshove frontin e luftës, e u bane ma paqësor se RUGOVA dhe AGANI!” Ky ishte një humor që e bëja pothuajse me secilin nga UÇK-ja, me qëllim të relaksimit të raporteve në mes të UÇK-së dhe LDK-së“, shkruan Merovci.
Më pas ai përshkruan reagimin e Thaçit.
“Pa një, pa dy, THAÇI, futi duart në xhepat e xhaketës së tij ngjyrë të kaltër, të mbyllët, dhe nxori dy granata dore, që në ushtrinë e APJ-së (Armata Popullore e Jugosllavisë), njiheshin si Kashikarka, dhe m’i lëshoi në dorë. Mbeta pa fjalë dhe i hutuar me dy granata dore në duar. Kërkoja THAÇIN, i cili ma kishte kthyer shpinën dhe më injoronte, duke e ditur se me këtë më shkaktoi telashe. Iu afrova dhe ia ktheva granatat që m’i lëshoi në dorë pa ia kërkuar. Në kokë m’u zbërthye një justifikim nga ekzistimi i një fletarrestimi që kishte THAÇI nga Serbia. M’u kujtua koha e Isa BOLETINIT në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, kur kishte shkuar dyfish i armatosur“, shkruan ai.
Sipas Merovcit, ky veprim lidhej me rrezikun e arrestimit.
“Lexuesi mund të pyesë: Si është e mundshme që në avion dhe në aeroporte të qarkullohet me granata dore? Ku i ka mbajtur këto granata dore gjatë Konferencës në Paris? Çka i duheshin THAÇIT granatat e dorës në një udhëtim të garantuar nga ndërkombëtarët? E para, THAÇI, nga vendnisja, në Kosovë, ka qenë me transport të garantuar me vetura të OSBE-së. Hyrja dhe dalja në avion ushtarak nuk kontrollohet nga shërbimet civile (policia dhe dogana). E dyta, kësaj radhe vendosja në Paris është bërë në hotel dhe nuk ka pasur kontrollime të sigurisë, kështu që këto granata kanë mundur të jenë në lokalet e hotelit ose gjetiu, për ç’gjë unë nuk jam interesuar më. E treta, THAÇI kishte një fletarrest nga Serbia dhe ndoshta nuk do që të dorëzohet nëse ka tendenca për ta arrestuar në Aeroportin e Prishtinës”, shkruan ai.











