spot_img
Saturday, December 6, 2025
spot_img

Distancimi i SHBA dhe rreziku rus, Evropa po armatoset me ritme të frikshme!

Qeveritë europiane po përballen me një krizë urgjente të mbrojtjes, mes agresionit rus dhe pasigurisë ndaj angazhimit amerikan.

Megjithatë, ka gjithnjë e më shumë shenja se Europa po fillon ta marrë seriozisht rrezikun. Në maj, Komisioni Europian prezantoi SAFE, një fond prej 150 miliardë eurosh që u jep shteteve anëtare hua me interesa të ulëta për investime në mbrojtje, me synimin të mbushë boshllëqet kritike të kapaciteteve ushtarake dhe të forcojë industrinë përmes prokurimeve të përbashkëta. Pavarësisht dyshimeve fillestare, deri më 30 nëntor 19 shtete kishin aplikuar dhe fondi u mbush plotësisht. Vetëm Polonia kërkoi mbi 43 miliardë euro.

SAFE është një nga dy shtyllat e planit të ri të BE-së “Readiness 2030” (ish “ReArm Europe”). Tjetra është klauzola NEC, që u lejon vendeve të rrisin shpenzimet ushtarake deri në 1.5% të PBB-së gjatë katër viteve, pa u penalizuar nga rregullat e deficitit. Deri tani janë bashkuar 16 vende, përfshirë Gjermaninë, dhe kjo klauzolë mund të çlirojë deri në 650 miliardë euro investime shtesë.

Ndërkohë, NATO ka vendosur objektivin që vendet europiane të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 3.5% të PBB-së deri në 2035, plus 1.5% të tjera për infrastrukturë të lidhur me mbrojtjen. Kjo urgjencë është rritur edhe nga frika se SHBA po i zhvendos prioritetet drejt Azisë dhe po kërkon që Europa të financojë armët që i dërgohen Ukrainës. Po ashtu, negociatat e fundit të paqes e kanë bërë të qartë se qasja e Donald Trump mund të rrezikojë sigurinë europiane.

Rusia, ndërkohë, ka kaluar në ekonomi lufte dhe mund të bëhet kërcënim i drejtpërdrejtë për Europën që në vitin 2027, sipas IISS. Edhe pse ekonomia ruse është shumë më e vogël se ajo europiane, në terma fuqie blerëse, Moska këtë vit do të shpenzojë thuajse sa gjithë vendet europiane të NATO-s. Ekspertët paralajmërojnë se rezistenca e Ukrainës i ka dhënë Europës një “dritare kohe”, por ajo do të mbyllet shpejt nëse lufta përfundon pa zgjidhje afatgjatë.

Europa duhet të zëvendësojë një sërë aftësish për të cilat është mbështetur tradicionalisht te SHBA: inteligjencën ajrore dhe satelitore, transportin strategjik ajror, raketat me rreze të gjatë dhe kapacitetet cloud në shkallë të gjerë. Kostoja e kompensimit të këtyre kapaciteteve vlerësohet në rreth 1 trilion dollarë.

Sipas ekspertëve të mbrojtjes, prioriteti i parë tani është rritja e mbështetjes për Ukrainën, veçanërisht me sisteme ajrore mbrojtëse dhe raketa me rreze të gjatë. Më pas, rindërtimi i strukturave të luftimit të Europës dhe një sistem i integruar mbrojtjeje ajrore në nivel kontinental. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, thotë se kapacitetet europiane të mbrojtjes ajrore duhet të rriten me 400%.

Shpenzimet e mbrojtjes në Europë tashmë janë rritur me 50% që nga viti 2022 dhe pritet të arrijnë 500–700 miliardë euro në vit brenda pesë viteve. Por jo të gjitha vendet lëvizin me të njëjtin ritëm—Spanja dhe Italia pritet të mbeten prapa, ndërsa Polonia do të shpenzojë gati 5% të PBB-së vitin e ardhshëm. Gjermania synon 3.5% deri në vitin 2029 dhe premtimi i kancelarit Merz është që Bundeswehr-i të bëhet “ushtria më e fortë konvencionale në Europë”.

Megjithatë, një tjetër sfidë madhore është sistemi i prokurimeve, shpesh i ngadaltë dhe burokratik, dhe aftësia e industrisë për të prodhuar në shkallë të gjerë. Shumë projekte të përbashkëta, si ELSA për raketa me rreze të gjatë, ecin ngadalë për shkak të diferencave mes vendeve. Edhe kur bëhen porosi, pajisjet moderne mund të duhen 2–3 vjet për t’u prodhuar.

Ekspertët kërkojnë një qasje të re: më shumë inovacion, ritme më të shpejta, kontrata afatgjata dhe përfshirje të kompanive të teknologjisë së re. Gjermania këshillohet të shpenzojë 10% të buxhetit të prokurimeve për projekte inovative, duke e rritur në 30% deri në 2030. Britania ka rezervuar tashmë 400 milionë paund për një njësi inovacioni që do të funksionojë me “ritëm lufte”.

Sfida e Europës është e qartë: të rrisë shpenzimet, të reformojë sistemet e prokurimit, të zvogëlojë varësinë nga SHBA dhe të forcojë bashkëpunimin mes vendeve. Por mbetet një pengesë madhore: pak qeveri po e shpjegojnë hapur për qytetarët pse mbrojtja duhet të ketë përparësi ndaj shpenzimeve sociale dhe rritja e partive të ekstremit të djathtë, shpesh të afërta me Kremlinin, mund ta komplikojë edhe më shumë situatën.

Europa ka fuqinë financiare, teknologjike dhe industriale për të vepruar. Pyetja e vetme është nëse ka vullnetin politik. /Përshtatur nga “Finacial Times”

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit