spot_img
spot_img
Friday, January 23, 2026
spot_img
spot_img

Disa sisteme imunitare mund të mundin kancerin: A mund të kthehet kjo në një ilaç?


Shkencëtarët po shqyrtojnë një ide premtuese: a mund të përdoret mënyra se si vetë trupi lufton kancerin për të krijuar një trajtim të ri?

Sipas disa studimeve, përgjigjja mund të jetë po, megjithëse rruga drejt një ilaçi funksional është ende e gjatë, ka raportuar The New York Times.

Dihet se shumica e kancereve rriten, përhapen dhe pa trajtim janë vdekjeprurëse.

Por në disa raste të rralla, kanceri ose zhduket vetë, ose mbetet në trup pa u përkeqësuar dhe pa shkaktuar simptoma. Kjo bie ndesh me atë që zakonisht besohet për kancerin.

Pikërisht kjo e ka intriguar prej vitesh doktorin Edward Patz, studiues i njohur i kancerit në Universitetin Duke, i cili mendon se këto raste të pazakonta mund të fshehin çelësin për trajtime të reja.

Pas shumë vitesh kërkimi, puna e tij ka çuar në zhvillimin e një ilaçi eksperimental, i cili deri tani është testuar vetëm te një numër i vogël pacientësh me kancer të mushkërive. Rezultatet fillestare janë inkurajuese, megjithëse shumica e ilaçeve eksperimentale dështojnë kur testohen në studime më të mëdha.

Megjithatë, kjo nuk e ka ndalur doktor Patzin, i cili ka themeluar kompaninë Grid Therapeutics, me shpresën se ky ilaç do të shndërrohet në një formë të re trajtimi kundër kancerit.

Edhe studiues të tjerë, që nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt në këtë projekt, shprehen të interesuar.

“Jemi ende shumë, shumë herët. Por ideja më pëlqen”, ka thënë doktor Roy Herbst, ekspert i kancerit të mushkërive dhe shef i onkologjisë mjekësore në Universitetin Yale.

Edhe doktor David Barbie, shef i onkologjisë torakale në Institutin Dana-Farber, e konsideron konceptin interesant, por paralajmëron se rruga drejt provave të forta është e gjatë.

“Në këtë fazë, efektiviteti është ende vetëm një lidhje e vëzhguar, jo një provë e qartë”, ka thënë ai.

Kërkimi i doktor Patzit ka nisur dekada më parë, kur ai ka vërejtur se disa kancere që duken të njëjta në skanime, në realitet sillen shumë ndryshe: disa janë të ngadalta dhe të padëmshme, ndërsa të tjerat agresive.

Ai dhe ekipi i tij kanë analizuar mostra të ruajtura prej 25 vjetësh nga pacientë me kancer të mushkërive, duke krahasuar ata që kishin ndërruar jetë shpejt me ata që kishin mbijetuar.

“Ne kishim mostra indi të tumorit, mostra gjaku dhe të dhëna të qarta për ecurinë e sëmundjes”, ka thënë doktor Patz.

Fillimisht, studiuesit kanë kërkuar dallime gjenetike ose proteina të veçanta, por nuk kanë gjetur asgjë domethënëse. Më pas, ata u fokusuan te serumi i gjakut dhe aty zbuluan diçka interesante: një antitrup të quajtur GT103.

Pas analizës së qindra pacientëve, doktor Patz ka vërejtur se prania e këtij antitrupi lidhej me një stagnim të kancerit të mushkërive në fazat e hershme.

Dukej se GT103 ndihmonte sistemin imunitar të sulmonte qelizat kancerogjene, duke bllokuar një “mburojë molekulare” që kanceri përdor për t’u fshehur nga mbrojtja e trupit.

Kur ky antitrup është i pranishëm, një pjesë e sistemit imunitar arrin t’i shkatërrojë qelizat e kancerit.

Hapi tjetër ishte prodhimi i sasive të mëdha të këtij antitrupi për përdorim si trajtim.

Studiuesit e Institutit për Vaksina në Universitetin Duke ndihmuan në prodhimin e tij.

Testet te kafshët kanë treguar rezultate pozitive. Më pas nisi faza e parë e provave te njerëzit, e fokusuar vetëm në sigurinë e ilaçit.

Studimi ka përfshirë 31 pacientë me kancer të mushkërive, te të cilët trajtimet standarde kishin dështuar.

Tumoret nuk u tkurrën, por te rreth një e treta e pacientëve, ato ndaluan së rrituri për një peirudhë kohore.

“E përdora te një pacient që kishte kaluar disa linja trajtimi pa sukses. Nuk kishim shumë çfarë t’i ofronim, por me këtë ilaç, kanceri i tij ka ndaluar së rrituri për nëntë apo dhjetë muaj”, ka thënë doktor George Simon.

Më pas, studiuesit e kombinuan antitrupin me pembrolizumab, një ilaç imunoterapie i njohur si Keytruda.

Ideja ishte që të aktivizoheshin dy mekanizma të ndryshëm të sistemit imunitar njëkohësisht.

“Antitrupi ynë vret qelizat e tumorit, por ndoshta jo të gjitha. Me ilaçin tjetër, ne përpiqemi ta ‘trajnojmë’ sistemin imunitar që të merret me pjesën tjetër”, ka shpjeguar doktor Patz.

Rezultatet ishin të përziera. Te disa pacientë, tumoret u stabilizuan, por më vonë filluan të rriteshin sërish. Në disa raste, rritja e dukshme në skanime ishte për shkak të inflamacionit, jo të rritjes reale të kancerit.

“Ajo që shohim në imazhe nuk janë gjithmonë qeliza kancerogjene”, ka thënë doktor Patz.

Megjithatë, pati edhe një rast të jashtëzakonshëm.

Një pacient kishte zhdukje të plotë të tumorit. Prej dy vitesh, analizat nuk kanë treguar asnjë shenjë të sëmundjes.

“Ai nuk është më në asnjë trajtim”, ka thënë doktori Hirva Mamdani.

Hapi i radhës, sipas studiuesve, është një studim shumë më i madh, me qindra pacientë dhe me një grup krahasimi.

“Duhet t’i studiojmë këto rezultate në shkallë të gjerë”, ka thënë doktor Simon.

/GazetaKosova/

- MARKETING -spot_imgspot_img
- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit