spot_img
spot_img
Monday, February 2, 2026
spot_img
spot_img

Diagnoza e një sistemi të kalbur

1.

Kosova e pas vitit 1999-ës kishte një mundësi historike për të ndërtuar një sistem të ri mbi vlerat e demokracisë, meritës dhe shtetit të së drejtës. Por ajo që u ndërtua në praktikë ishte një variant grotesk i shpresave fillestare – një vend që, në vend se të kultivojë të mirën publike, është kthyer në një makineri për ruajtjen e interesave private të një elite të vogël, që e përdor pushtetin si pasuri të trashëgueshme.

Shkruan: Dr.med. Ylli H. Mehmeti

Në çdo hallkë të shtetit, nga administrata e deri në nivelet më të larta të qeverisjes, rekrutimi i stafit nuk bazohet në kompetencë, por në lidhje miqësore, partiake e familjare. Ky sistem i përmbysur nuk është thjesht një pengesë për zhvillim – është një sëmundje kronike që ka paralizuar funksionimin normal të institucioneve.

Paaftësia, në vetvete, nuk është e rrezikshme; por kur ajo kombinohet me etjen për pushtet dhe prirjen për korrupsion, ajo bëhet një makth institucional. Administrata publike sot është e mbushur me individë që e përdorin postin për përfitime personale, jo për t’i shërbyer qytetarëve. Këta njerëz nuk i tremben dështimit, sepse nuk janë aty për të dhënë rezultate – janë aty për të mbrojtur interesat e klanit që i ka emëruar.

Por ndoshta shembulli më dramatik i këtij sistemi të kalbur është gjendja e universiteteve publike. Aty ku duhet të lulëzonte mendimi kritik, hulumtimi shkencor dhe avancimi i dijes, sot kemi një strukturë të ngurtë feudale, të ngjashme më shumë me një klan mafioz sesa me një komunitet akademik. Universitetet publike janë kapur nga një klasë e mbyllur e “akademikëve të përjetshëm”, të cilët kanë ngritur një mur të pakalueshëm për këdo që nuk i përket rrethit të tyre familjar apo klanor. Këta individë nuk kanë synuar të kultivojnë dije, por të mbrojnë interesat e tyre personale dhe të klanit që i përketin.

2.

Një fenomen veçanërisht interesant është ai i martesave brenda kësaj klase të privilegjuar. Ky nuk është rastësi, as thjesht preferencë personale. Është një strategji e qëllimshme për të garantuar trashëgiminë e pushtetit akademik dhe kontrollin mbi çdo aspekt të jetës universitare. Kur sheh se si pedagogë dhe dekanë bijtë dhe bijat e njëri-tjetrit martohen mes veti , bëhet e qartë se kemi të bëjmë me një strukturë që funksionon si një dinasti moderne.

Kjo elitë me biografi të dyshimt i mbyll dyert e universiteteve për të gjithë të tjerët. Të rinjtë e aftë, me diploma serioze nga jashtë apo me punë kërkimore të ndershme, përjashtohen nga çdo mundësi reale për t’u integruar në stafet akademike. Sepse në një sistem ku meritokracia është vrarë, i vetmi çelës suksesi është lidhja gjakut.

 

Kjo farë e keqe, e cila sot po korr frutet e kalbura, është mbjellë dekada më parë. Në periudhën e sundimit komunist jugosllav ,  u instalua një kastë kuadrosh të bindur, lojalë jo ndaj popullit apo dijes, por ndaj sistemit. Këta kuadro, një pjesë e madhe pa merita të vërteta shkencore, u pozicionuan në krye të universiteteve, dhe nisën menjëherë procesin e betonimit të pushtetit të tyre përmes familjarizimit dhe rekrutimit të njerëzve të besuar.

Pas rënies së sistemit komunist, kjo kastë nuk u çmontua – përkundrazi, ajo u përshtat. Dhe më keq akoma: nisi të riprodhohej përmes fëmijëve të vet. Dhe kur këta fëmijë u rritën, martesa brenda kastës siguroi që pushteti universitar të mbetej i mbyllur brenda një rrethi të vogël e hermetik.

Sot, kjo kastë përfaqëson një forcë jashtëzakonisht të fuqishme: kontrollon konkursët, bordet, komisionet, gradat shkencore dhe fondet e kërkimit. Është një strukturë mafiozo-akademike, e cila nuk prodhon dije, por vetëm diploma dhe përfitime për vetveten.

3.

Ky sistem nuk e përgatit rininë për jetën, as për tregun e punës, as për mendimin kritik por për emigracion. Ai prodhon qytetarë pasivë, të lodhur, të zhgënjyer – sepse mësohen që gjithçka arrihet me lidhje, jo me aftësi. Ky është burimi i shumë problemeve tona: një brez i çorientuar dhe një shoqëri që nuk beson më në drejtësi apo zhvillim. Prandaj është e gjatë lista e rinisë sonë që kërkon një vizë pune në shtetet perendimore . Më të vërtetë është i turpshëm ky realitet për një shoqëri të vogël si e jona me 1,7 milion banorë.

Në një klimë të tillë, është e qartë pse punët nuk na shkojnë mbarë si shoqëri. Sepse nuk është vetëm korrupsioni financiar që po na gërryen – është një korrupsion më përfid : korrupsioni i vlerave, i mendjes, i sistemit të arsimit dhe dijes.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit