spot_img
spot_img
Friday, December 19, 2025
spot_img
spot_img

Dhjetë faktorët që do diktojnë konfliktin Iran-Izrael

Sulmet e Izraelit ndaj objekteve ushtarake, civile dhe infrastrukturore në të gjithë Iranin, dhe sulmet e përsëritura hakmarrëse iraniane kundër objektivave në të gjithë Izraelin, e kanë tronditur ekuilibrin ekzistues të fuqisë në mbarë Lindjen e Mesme.
Por pasojat e rënda të kësaj lufte të re për rajonin, ekonominë botërore dhe furnizimet energjitike, do të sqarohen vetëm në javët në vijim. Tashmë është e qartë se sulmi i papritur i Izraelit, nuk i dha një goditje shkatërruese sektorit bërthamor të Iranit, aseteve të tij ushtarake apo regjimit të tij.

Ndërkohë, sulmet me raketa dhe dronë nga Irani drejt Izraelit, sugjerojnë se kjo luftë mund të vazhdojë për javë të tëra ose më gjatë. Mediat dhe sfera politike publike, janë tani të mbingarkuara me propagandë dhe mendime të dëshiruara nga të dyja palët, gjë që e bën të vështirë dallimin e rezultateve dhe ndikimeve të luftës.

Për momentin, mund të presim vetëm që luftimet të vazhdojnë për disa javë ose më gjatë, dhe që të sulmohen objektet kryesore në të dyja vendet, siç u sulmua Ministria e Mbrojtjes e Izraelit dhe Instituti Weitzman disa ditë më parë, së bashku me impiantet bërthamore, aeroportet, asetet ushtarake dhe impiantet e prodhimit të naftës në Iran.

Pra, vëzhguesit dhe analistët e interesuar duhet të mbeten të përulur dhe të duruar, ndërsa ngjarjet në zhvillim e sipër të sqarojnë dimensionet kritike të këtij konflikti, të cilat janë dominuar prej kohësh nga propaganda, mendimi i dëshiruar, shfaqja e forcës, mashtrimi strategjik dhe fantazitë ideologjike nacionaliste.

Ky raund luftimesh midis SHBA-së dhe Izraelit nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër, ka shkaktuar reagime globale, që tregojnë se kjo është një tjetër betejë midis fuqive perandorake /koloniale perëndimore dhe atyre në Lindjen e Mesme dhe Jugun Global, që i rezistojnë këtij sulmi shekullor të kontrollit, nënshtrimit dhe kaosit.

Nuk mund ta dimë ende se ku do të çojë kjo luftë, por mund të identifikojmë disa dimensione jetike, të cilat duhet t’i monitorojmë nga afër ndërsa po zhvillohen betejat.

Së pari, sulmet e vazhdueshme nga Irani dhe Izraeli, do të sqarojnë aftësitë e tyre përkatëse sulmuese dhe mbrojtëse, veçanërisht në aspektin e raketave, dronëve dhe mbrojtjeve të disponueshme kundër tyre.

Irani e ka parashikuar një sulm të tillë prej të paktën një dekade. Prandaj, duhet të supozojmë se ai ka planifikuar gjithashtu shumë kundërsulme, ndërsa i ka përforcuar objektet e tij kryesore ushtarake dhe kërkimore bërthamore.

Së dyti, do ta zbulojmë shpejt rolin e vërtetë të SHBA-së në këtë luftë, megjithëse është e drejtë që sulmi i Izraelit po shihet si një përpjekje e përbashkët SHBA-Izrael. Kjo për shkak të përgjegjësisë pothuajse të plotë të Uashingtonit për të financuar, pajisur, mirëmbajtur, furnizuar dhe mbrojtur forcat e armatosura izraelite.

Por edhe të mbrojtjes të Izraelin në OKB, Gjykatën Ndërkombëare Penale dhe forume të tjera apo edhe qëllimeve të përbashkëta politike të të dyja vendeve për të rrëzuar Republikën Islamike dhe për ta zëvendësuar atë me një regjim kukull, që i nënshtrohet prioriteteve izraelito-amerikane. Trump pretendon se kjo nuk është lufta e tij.

Së treti sulmet e Izraelit kundër Iranit, Palestinës, Sirisë, Jemenit, Irakut dhe Libanit, mund të ndodhin vetëm për shkak të angazhimit të SHBA-së me ligj ndaj superioritetit ushtarak izraelit në Lindjen e Mesme. E gjithë Lindja e Mesme dhe pjesa më e madhe e botës, e shohin këtë si një luftë midis SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Së katërti, shumë shpejt do të mësojmë se çfarë armësh jo-ushtarake mund të përdorë secila palë për të dobësuar tjetrën. Raketat dhe dronët janë një fillim, por duhet të presim sulme të luftës jokonvencionale kundër objektivave civile, infrastrukturore, dixhitale dhe të sektorit financiar që ua vështirësojnë jetën të gjithëve.

Së pesti, një faktor tjetër i rëndësishëm që do të bëhet i qartë vetëm me kalimin e kohës është mënyra se si ky konflikt ndikon në politikën e brendshme në të dyja vendet. Irani dhe Izraeli, vuajnë secili nga çarje të thella të brendshme dhe pakënaqësi me regjimet e tyre. Ndaj mënyra se si do të zhvillohet lufta, mund ta fragmentojë dhe dobësojë secilin vend, ose të bashkojë qytetarët e tyre.

Së gjashti, është e rëndësishme të shihet mënyra se si do të reagojnë udhëheqësit arabë ndaj ngjarjeve, veçanërisht ata që zgjodhën të zhvillojnë lidhje shumë më të ngushta financiare, tregtare dhe mbrojtëse me SHBA-në, siç e pamë gjatë vizitës së fundit të Trump në Gjirin Persik muajin e kaluar.

Tre vitet e fundit, disa udhëheqës arabë kanë synuar të kenë marrëdhënie më të ngushta dhe fqinjësore me Iranin, ndërsa disa të tjerë u afruan më shumë me Izraelin. Udhëheqësit dhe qeveritë arabe që zgjedhin SHBA-në dhe Izraelin si aleatët e tyre kryesorë, veçanërisht në fushën e sigurisë, ndërsa vazhdojnë sulmet ndaj Gazës dhe Iranit, do të shkaktojnë zemërim dhe kundërshtim nga shumica e popujve të tyre.

Kjo do t’i bëjë qeveritë më autokratike, gjë që vetëm sa do ta përkeqësojë trashëgiminë e autokratëve modernë arabë që injorojnë të drejtat dhe mirëqenien e popullit të tyre.

Së shtati, nëse Uashingtoni përfshihet më drejtpërdrejt në mbrojtjen e Izraelit, ka të ngjarë të shohim një reagim nga votuesit në SHBA, veçanërisht midis mbështetësve të Trump të cilët nuk duan që SHBA-ja të përfshihet në luftëra të mëtejshme.

Së teti, në javët në vijim do të vihen në provë shtrirja dhe aftësitë e aleatëve të Iranit në
të gjithë Lindjen e Mesme, veçanërisht Hezbollahut, Hamasit, Ansar Allah në Jemen dhe Forcat e Mobilizimit Popullor në Irak. Të gjithë janë dobësuar kohët e fundit nga sulmet izraelito-amerikane, dhe janë të paqarta si vullneti ashtu edhe aftësia e tyre për të mbështetur Iranin.

Së nënti, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, e sheh këtë sulm si hapin e fundit në strategjinë e tij për të riorganizuar Lindjen e Mesme, për t’i bërë të gjitha shtetet të varura nga miratimi izraelit i politikave të tyre strategjike. Disa janë tashmë të varur.

Dhe së dhjeti, do ta zbulojmë me kalimin e kohës nëse kjo strategji do të riorganizojë dinamikat arabo-lindore të Mesme, apo ato të brendshme izraelito-amerikane. Kostoja e kësaj lufte për qytetarët izraelitë është një e panjohur e madhe, por jetike. Izraelitët tani e dinë se si ndihen njerëzit në Libanin Jugor ose në Gaza.

Miliona izraelitë janë zhvendosur, kanë emigruar ose janë strehuar në bunkerë dhe dhoma të sigurta. Kjo vjen pas dy dekadash, në të cilat të gjithë arabët, përfshirë palestinezët dhe Hamasin, kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të bashkëjetuar në paqe me Izraelin, nëse Izraeli e pranon të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje kombëtare, dhe rezolutat përkatëse të OKB-së që synojnë të garantojnë sigurinë dhe legjitimitetin e shtetit të Izraelit dhe Palestinës.
Sulmi SHBA-Izrael kundër Iranit, do të intensifikojë forcat që tashmë po e shkatërrojnë trashëgiminë e së drejtës ndërkombëtare dhe sistemin e OKB-së në Lindjen e Mesme, dhe në pjesën më të madhe të botës.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit