Një ngjarje e rëndë familjare ka ndodhur dje në Deçan, ku një burrë është sulmuar brutalisht nga djali i tij, në një rast që është kualifikuar si “Vrasje në tentativë”.
Sipas informatave incidenti ka ndodhur më 05.02.2026 rreth orës 15:00, kur QKMF Deçan ka njoftuar Policinë se një person ishte duke marrë trajtim mjekësor, nën dyshimin se ishte lënduar gjatë dhunës në familje.
Patrulla policore ka dalë menjëherë në QKMF, ku ka kontaktuar viktimën, Agim Musshabanaj, i cili kishte plagë prerëse prapa kokës dhe në dorën e majtë.
Sipas deklarimit të tij, ngjarja ka nisur pasi kishte dëgjuar djalin e tij, Kanun Musshabanaj, duke bërtitur ndaj nënës në katin e dytë të shtëpisë. Viktima ishte ngjitur për ta qetësuar dhe e kishte paralajmëruar se do ta thërriste Policinë nëse nuk ndalej.
Mirëpo, sapo ishte kthyer në dhomën e ndejës, i dyshuari ka hyrë papritur me sëpatë në dorë dhe e ka goditur babain pas koke, duke i shkaktuar plagë serioze, si dhe e ka goditur edhe në dorën e majtë.
Në atë moment kanë ndërhyrë bashkëshortja dhe vajza e viktimës, të cilat kanë arritur t’ia marrin sëpatën nga dora dhe ta largojnë nga viktima.
I plagosuri është dërguar menjëherë për tretman mjekësor nga një fqinj, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht ndodhet në arrati.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë e hetimeve dhe forenzika, ku është sekuestruar edhe mjeti i përdorur në sulm – sëpata. Po ashtu janë angazhuar edhe hetimet rajonale dhe forenzika rajonale.
Prokurorja kujdestare ka vizituar viktimën në emergjencën e Spitalit Rajonal dhe ka udhëzuar inicimin e rastit si “Vrasje në tentativë”.
Rasti është nën hetime intensive, ndërsa Policia është në kërkim të të dyshuarit.








