Tentativa për një grabitje të armatosur ka dështuar sot rreth orës 14:00 në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, ku janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri.
Burimet bëjnë të ditur se objekt i grabitjes dyshohet të ketë qenë një furgon që po transportonte para, ndërsa në momentin e sulmit ishte duke u siguruar nga pjesëtarë të kompanisë së sigurimit “Besa Security”.
Sipas informatave të siguruara, hajnat nuk kanë arritur ta realizojnë grabitjen dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me duar bosh.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana, i cili ka thënë se rasti po trajtohet si tentim-grabitje e armatosur.
“Sot rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para”, ka deklaruar Pllana.
Policia ka dalë menjëherë në terren dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve. Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.






