Policia e Kosovës ka njoftuar se ditën e djeshme, në Junik, në një shtëpi janë gjetur pa vetëdije dy gra të moshuara kosovare, nga të cilat njëra ishte pa shenja jete.
Sipas policisë, gruaja tjetër është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, në gjendje të rëndë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka dhënë detaje lidhur me rastin, duke bërë të ditur se bëhet fjalë për dy të moshuara që jetonin së bashku në një shtëpi.
Rasti është raportuar nga qytetarët, pasi familjarët kishin tentuar t’i kontaktonin përmes telefonit, por ato nuk ishin përgjigjur.
“Me datë 17.12.2025, rreth orës 15:15, Policia është njoftuar nga qytetaret se në lagjen Pepsh në Junik, në një shtëpi ku jetonin dy gra të moshuara, nuk po e hapin telefonin dhe familjarët janë të brengosur, Policia menjëherë kanë dalë ne vendin e ngjarës, brenda shtëpisë ishin dy gra të shtrira, ne vendngjarje kanë dalë edhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar se njëra nga viktimat, është pa shenja jete, ndërsa tjetra është dërguar me autoambulancë në spitalin e Gjakovës, e më pas ne QKUK-Prishtine, për tretman mjekësor. Me urdhër të Prokurorit të shtetit trupi i pajetë i viktimës është dërguar ne IML- Prishtinë, për obduksion, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente të DRP Pejë”, deklaroi ai.






