Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme parlamentare për ta formuar qeverinë e re, duke u bërë kështu mandatari i parë në historinë e Kosovës që nuk merr miratimin e Kuvendit për Ekzekutivin e propozuar.
Nëntë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kurti ua ka propozuar të dielën deputetëve përbërjen e re të qeverisë, por pa marrëveshje koalicioni, ajo ka dështuar të marrë votat e nevojshme. Nga 112 deputetë pjesëmarrës në votim, 56 votuan pro, 52 kundër dhe katër abstenuan.
Në hapje të seancës, që nisi me mbi një orë vonesë, Kurti ka pranuar se përpjekjet për krijimin e një shumice qeverisëse kanë dështuar.
“Në këta gjashtë muaj, përpjekjet për formimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat, përkundër tentimeve tona të disahershme dhe shtetërore. Asnjëra nga partitë parlamentare, të cilave iu bë ftesë, nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje, megjithëse vota e qytetarit kishte përcaktuar se duhet të kishte një koalicion qeverisës,” ka theksuar Kurti.
Ai ka paralajmëruar pasoja për shtetin nëse nuk miratohet qeveria e re:
“Pa votimin e qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja pa shumë institucione funksionale, dhe pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të nënkuptonte rrezikim të pagave për shërbyesit publik, pensioneve, shtesave për fëmijë, asistencës sociale, furnizimit me barna, funksionimin e organeve të rendit dhe të sigurisë, por edhe të shumë projekteve kapitale që janë në proces e sipër. Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ecë përpara.”
Kurti nuk prezantoi një program të plotë qeverisës në letër, por në kabinetin e propozuar kishte përfshirë 19 ministri — katër më shumë se në qeverinë paraprake. Në mesin e emrave të rinj, ai propozoi Dimal Bashën për ministër të Infrastrukturës, Nenad Rashiqin për Komunitete dhe Kthim, Andin Hotin për Ministrinë e re të Familjes dhe Mirëqenies Sociale, si dhe aktorin Fatmir Spahiun për Ministër të Kulturës dhe Turizmit.
Akuza nga opozita: Tetë muaj bllokadë
Seanca është shoqëruar me kritika të ashpra nga opozita, e cila e ka akuzuar Kurtin për bllokim të shtetit.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha:
“Kanë kaluar mbi 8 muaj që jemi të bllokuar nga sjelljet arbitrate të qeverisë që ka fituar numrin më të madh të deputetëve dhe kemi qenë dëshmitar të një fjalamanie kemi apo nuk kemi vota. Andaj sa na përket neve, Parti Demokratike e Kosovës koha e fjalëve ka marrë fund, koha është që të verifikoni atë që keni thënë gjithmonë që keni arritur shumicën parlamentare.”
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kërkoi verifikim të numrave në vend të debateve:
“LDK nuk do të bëjë debat dhe nuk do të dëgjojë fare asnjë debat. Na keni thënë se i keni numrat i keni. Na keni bllokuar për tetë muaj një shtet të tërë. Urdhënoni mateni vetën me numra demokratik nga kjo legjislaturë. Çdo arsyetim tjetër është dërgesë drejt zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme që si duket po shkojmë.”
Ndërsa Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së, tha:
“Për mendimin tim, ti je produkt i luftës hibride të armiqve tonë, ty të kanë krijuar, ti e ke ushqyer këtë luftë hibride në vazhdimësi. Ti ke punuar sistematikisht me diskredituar çdo vlerë të këtij vendi, disa prej tyre i vuajnë pasojat sot e drejtësisë ndërkombëtare, e disa më herët dhe si i tillë një ditë po është e vërtet, lufta hibride e hanë atë që e ka ushqyer atë luftë e tash të ka ardhur radha ty.”
Plani i Kurtit për mandatin e dështuar
Në fjalën e tij përmbyllëse, Kurti tha se Qeveria e propozuar kishte për synim “të mirën e shtetit” dhe renditi pesë vendimet e para që do të zbatoheshin nëse do të merrte besimin e deputetëve:
“Miratimi i projektligjit të buxhetit për vitin 2026; Vendimi për caktimin e pensionit minimal në vlerë prej 150 euro që prek rreth 200 mijë pensionistë; Vendimi për rritjen e shtesave për fëmijë me 50% mbi nivelin aktual që prek rreth 400 mijë fëmijë; Vendimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro… si dhe gratë lehona të cilat përfitojnë nga shtesat.”
Ai shtoi se do të investonte një miliard euro në mbrojtje dhe do të zhvillonte industrinë ushtarake vendore, përfshirë prodhimin e dronëve “Made in Kosova”.
Hapat e ardhshëm – Presidentja në qendër të vendimmarrjes
Pas dështimit të votimit, kryeparlamentari Dimal Basha ka mbyllur seancën, duke njoftuar se përgjegjësia për hapat e ardhshëm i kalon presidentes Vjosa Osmani. Ajo pritet që brenda 10 ditësh të zhvillojë konsultime me partitë për të parë nëse ekziston një shumicë e re.
Nëse mandatarja e dytë dështojnë po ashtu të formojë qeverinë, Kushtetuta parasheh shpalljen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh nga dita e shpalljes së tyre.









