Në një rrëfim të publikuar nga Faton Ramadani, ngrihen pretendime të rënda për manipulim të hetimeve përmes një dëshmitari të rremë, duke devijuar sipas tij tërësisht pistën fillestare të rastit.
Sipas Ramadanit, në një pjesë të videos dëgjohet dëshmitari Blerim Kiqina duke deklaruar: “të gjithë ata që janë në atë listë”, por pa sqaruar se për cilën listë bëhej fjalë.
Ai pretendon se deklaratat e dëshmitarit kanë qenë kontradiktore. Për axhën e tij, Adem Kiqinën, Blerim Kiqina kishte deklaruar se e njihte që nga koha kur kishte hyrë në polici, ndërsa për djemtë e tij, Arbenin dhe Florimin, kishte thënë se i njihte vetëm pas luftës dhe jo mirë.
Po ashtu, sipas Ramadanit, dëshmitari kishte deklaruar se vëllezërit Ramadani nuk i njihte mirë dhe se vetëm i kishte parë në Drenas, ndërsa për Skender Halilajn kishte thënë se e njihte vetëm me nofkën “Maqallunga”.
Në deklarimet e tij përmendet edhe një pretendim se Skender Halilaj i ishte drejtuar Burimit me fjalët: “Ju paguaj dhe nxirrni dyfish për ta vrarë Hamzën.”
Ramadani thotë se kjo dëshmi e ndryshoi komplet drejtimin e hetimeve, duke larguar fokusin nga emrat që përmendeshin në pistën fillestare.
Sipas tij, nga gjithë kjo histori mbetën vetëm katër persona të dënuar, ndërsa disa të tjerë nuk u arrestuan fare, madje edhe i akuzuari kryesor u lirua si i pafajshëm.
Në deklaratë përmenden edhe emra si Haki Xhemajli dhe Agron Spahia, për të cilët Ramadani pretendon se nuk kanë qenë fare pjesë e ditëlindjes ku lidhej rasti.
Ai shton se, sipas deklaratave të mëhershme në polici nga Ilir Demaku dhe Petrit Morina, Haki Xhemajli kishte qenë në Drenas, por më vonë në gjykatë deklaratat u ndryshuan duke thënë se nuk e kishin parë.
Në fund, Faton Ramadani vlerëson se në një shtet funksional kjo dëshmi do të mjaftonte për nisjen e hetimeve serioze për zbulimin e autorëve të vërtetë, por sipas tij “fuqia për të mbuluar krimin ishte më e madhe se e vërteta, përmes një dëshmitari të rremë”.









