Ish-kandidatja për deputete nga PDK-ja, Aida Dërguti, ka thënë që qytetarët e Kosovës duhet të organizohen në protesta masive dhe të bëjnë presion që të mos merret një vendim i padrejtë në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më tutje, ajo tha se nuk mund të merret një vendim i padrejtë në emër të Kosovës.
“Prej sot duhet të ketë mobilizm mbarëkombëtar të të gjithë shqiptarëve pavarësisht bindjeve ideologjike që duhet të angazhohen dhe madje edhe të dalin në sheshe e me protesta për marrjen e vendimit të drejtë”, ka thënë Dërguti.
“Pra, duhet të bëhet presion”.
“Unë mendoj që duhet të ketë protesta para 16 shtatorit që t’u tregohet se këtu njerëzit nuk e pranojnë një vendim të padrejtë”.
Dërguti shtoi se populli nuk duhet të lejojë Gjykatën që në emër të tyre, UÇK-ja të quhet ndërmarrje e përbashkët kriminale.
“Ndërmarrje e përbashkët kriminale nuk mund të quhet kurrën e kurrës dhe duhet të jetë e papranueshme prej qytetarëve të këtij vendi, prej shqiptarëve”.
“Populli duhet t’i thotë: Në emër të popullit ju nuk e quani Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ndërmarrje e përbashkët kriminale. Pikë”.








