Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj ka deklaruar të mërkurën në një emision se nuk do të donte të ishte më në një listë zgjedhore me kreun e Nismës, Fatmir Limaj.
Ai tha se e respekton Limajn për kontributin e tij në luftë, por politikisht nuk do donte të ishte në listë me të, pasi sipas tij, Limaj nuk komunikoi me AAK-në për drejtimin e tij të ri për të “shkuar me Albin Kurtin”.
“Asnjë problem nuk e kemi pasur, hatërmbetjet ose si me i quajt ka qenë pse nuk ka komunikuar me neve para se me marrë një drejtim tjetër ku shkojë te Kurti. Nuk kisha pas qejf me qenë edhe në listë ku është Fatmir Limaj në atë listë”, ka thënë Haradinaj.
E lidhur me këtë deklaratë, nga Nisma Socialdemokrate i janë kundërpërgjigjur nënkryetarit të AAK-së, Daut Haradinajt.
Deputetja e Nismës, Arbëreshë Krasniqi ka deklaruar se AAK është pjesë e Kuvendit si rezultat i kontributit të Limajt.
Sipas saj, deklaratat e Haradinajt janë interminore.
“E shoh si jo korrekte në raport me NISMA dhe Fatmir Limajn, Dautin për mua këto deklarata të tij janë interminore dhe si rezultat i Fatmir Limaj, AAK është në Kuvend dhe duhet të kenë shumë kujdes në këso deklarata. AAK është pjesë e Kuvendit si rezultat i votave të NISMA dhe kontributit të Fatmir Limajt”, u shpreh Krasniqi.
Nisma reagon ndaj Daut Haradinajt: Rënia e AAK-së shihet në rezultatet e komunave
Arbëreshë Krasniqi nga Nisma Socialdemokrate është shprehur pas deklaratës së Daut Haradinajt nga AAK-ja, i cili tha se nuk e sheh veten në një listë me Fatmir Limajn.
Krasniqi deklaroi se shumica e komunave të udhëhequra nga AAK kanë përfunduar në balotazh, gjë që sipas saj dëshmon për rënien e kësaj partie.
Ajo rikujtoi rolin e Fatmir Limajt në projektet madhore të vendit.
“Jemi duke i parë komunat ku ka udhëhequr AAK që pjesa dërmuese e tyre janë në balotazh, Dauti duhet ta dinë rënien e AAK dhe një figurë si Fatmir Limaj që është projektues e realizues i autostradës që është zhvillim për Kosovën, gjithashtu kontratën dhe ndërtimin e aeroportit Adem Jashari, pjesë e lavdishme e UCK-së, njëri prej personave kyçe në shtet ndërtim dhe shpalljen e pavarësisë, me të gjitha këto duhet të japin deklarata e ti rikujtojnë që ti kenë parasysh”, thotë Krasniqi.









