Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka thënë se nisma e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk synon zhbërjen e Gjykatës Speciale, por kufizimin e mandatit të saj në fushën për të cilën, sipas tij, është krijuar.
Mustafa ka deklaruar se qëllimi i projektligjit të dorëzuar nga PDK-ja në Kuvend është që Gjykata Speciale të vazhdojë punën, por brenda mandatit që, sipas tij, lidhet me pretendimet e ngritura në raportin e Dick Martyt.
“Nuk bëhet fjalë për zhbërje të Gjykatës Speciale. Por, bëhet fjalë për kufizimin e mandatit të kësaj gjykate, dhe kthimin e saj te mandati i saj, për të cilin krijuar. Që ishte për hetuar dhe gjykatë të gjeturat nga raporti i Dick Marty.
Pra, qëllimi është që GJS të vazhdoj punën, mirëpo të merret me temat me të cilat është krijuar. Krejt ideja e krijimit të kësaj gjykate ka rrjedh prej raportit të Dick Marty. I cili ka paraqitur akuza të rënda për luftën tonë çlirimtare. Dhe institucionet e Kosovës në atë kohë iu kanë përgjigjur në mënyrë pozitive këtij raporti, në mënyrë që t’i hapin rrugën drejtësisë. Por ajo çka ka ndodhur, kjo gjykatë speciale qysh herët ka hedhur poshtë akuzat e Dick Marty, dhe ka vazhduar me diçka që shkon përtej arsyes fillestare, për të cilën është krijuar kjo gjykate…”, ka thënë Mustafa.
Kjo deklaratë vjen pasi PDK-ja ka proceduar në Kuvend projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Sipas kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, nisma synon përcaktimin e kufijve të mandatit të Speciales, ndërsa rastet që nuk përfshihen në juridiksionin e propozuar do të transferoheshin në Kosovë.
Projektligji parashikon gjithashtu mundësinë e monitorimit ndërkombëtar të punës së Gjykatës Speciale, përfshirë respektimin e të drejtave të njeriut, standardeve të gjykimit të drejtë, kushteve të paraburgimit, mbrojtjes së dëshmitarëve dhe kohëzgjatjes së proceseve.








