Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, deklaroi se Vjosa Osmani nuk është figurë konsensuale për postin e presidentes së Kosovës.
Sipas tij, vendi ka nevojë për një president jopartiak dhe mbi palët politike, me integritet dhe kredibilitet, që nuk është i përfshirë në debatet politike. Rrustemi tha se Osmani është politikane aktive, ka qenë bartëse e një partie politike dhe aktualisht është deputete, prandaj, sipas tij, nuk mund të konsiderohet figurë konsensuale për këtë post.
“Shiko, domethënë diskutimet mund të bëhen në modalitete të ndryshme. Një modalitet është nëse ka vullnet reciprok për ta zgjeruar mazhorancën për qeveri — gjithmonë nëse ka vullnet prej të dyja palëve, sepse por nuk është e domosdoshme, gjithmonë po e theksoj, me u ndërlidhë me presidentin. E dyta, nëse vazhdojnë të mbahen pozicione të tilla pozitë-opozitë, atëherë ne duhet ta gjejmë një kompromis për presidentin e Republikës. E për këtë jemi për një figurë konsensuale, jashtëpartiake, domethënë mbi palët, që s’i përket askujt. Domethënë, natyrisht me disa kritere të integritetit, përgatitjes, kontributit, por që nuk është, ose të paktën është jashtë kësaj, le të themi, polemikave e debateve të ashpra që kanë ekzistuar në këto dy vjet në Kosovë. Zonja Osmani nuk është një figurë e tillë, domethënë nuk është figurë konsensuale. Ajo është tashmë një politikane aktive, ka qenë bartëse e listës së një partie politike dhe është deputete e Kuvendit të Kosovës. Prandaj, po e përsëris, nuk është figurë konsensuale në kuadër të përpjekjes për një president jopartiak”, tha ai.








