Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, priti sot një delegacion nga Bashkimi Evropian, i udhëhequr nga Zuzana Michalcova Sutiakova, Shefe për Ballkanin Perëndimor në EEAS, dhe përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë: Eva Palatova, Blerta Bejtullahu dhe Felix Rathje.
Gjatë takimit, u diskutuan zhvillimet e fundit në institucionet e Kosovës, formimi i legjislaturës së 10-të të Kuvendit dhe progresi i vendimmarrjes në fillim të këtij mandati.
Gola theksoi se institucionet e Kosovës janë plotësisht funksionale dhe të angazhuara për të realizuar një agjendë të qartë reformash dhe integrimi evropian.
“Në këtë frymë, si një ndër vendimet e para të kësaj legjislature, Kuvendi miratoi Marrëveshjen për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, nga i cili Kosova përfiton 882.6 milionë euro, duke reflektuar orientimin e palëkundur evropian dhe gatishmërinë për të avancuar me reforma konkrete”.
“Po ashtu, u veçua miratimi i marrëveshjeve me Bankën Botërore në vlerë prej 120 milionë euro, si dhe miratimi i Buxhetit për vitin 2026 në vlerë 4 miliardë euro, buxheti më i madh në historinë e vendit”.
Në fund të takimit u diskutua edhe për rolin e komuniteteve joshumicë në Kuvend dhe për përfshirjen e tyre aktive në jetën institucionale. U theksua se Kosova ka ndërtuar një model të avancuar për garantimin e të drejtave të komuniteteve, duke qenë ndër vendet me standardet më të larta në Evropë në këtë drejtim.
“Nënkryetari Gola shprehu mirënjohje për mbështetjen e Bashkimit Evropian gjatë periudhës së krizës politike të vitit të kaluar, duke theksuar se Kuvendi i Kosovës mbetet i përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit dhe për avancimin e reformave që e afrojnë vendin me Bashkimin Evropian”, u cek në njoftim.









