Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut nga radhët e PDK’së, Arian Tahiri, ka komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se s’ka buxhet për ata kryetarë të komunave që s’dinë dhe që vjedhin.
Tahiri në ‘Debat Plus’ deklaroi se kjo deklaratë më shumë e favorizon atë sesa kandidatin e Kurtit, Faton Pecin.
“Pra, ai tha për ata që nuk dinë, dinë dhe vjedhin. Kështu që unë jam në rregull edhe unë, unë jam shumë pro idesë që mos me i mbështet ata që nuk dinë me punu, ata që vjedhin. Personalisht, qytetarët e dinë që e kam dëshirën dhe entuziazmin me punu secilën ditë, dija është relative, unë do të punoj me njerëz kompetent. Pra, në këtë rast, unë mendoj që ma shumë më mbështet mu sesa Faton Pecin. Ma shumë do të gjej mbështetje unë, sesa Faton Peci“, deklaroi Tahiri.
Kurti kishte thënë se s’do të ketë buxhet për ato komuna që s’dinë të investojnë dhe që vjedhin.
“Unë nuk jap buxhetin e shtetit dhe paratë e taksave për ata kryetarë që nuk dinë të punojnë mirë apo që vjedhin. Mos i votoni ata që nuk dinë e nuk duan punën, e as ata që dinë e duan të vjedhin. Me ata nuk ka investime e as zhvillim, siç nuk ka pasur për 20 vite pas luftës”, kishte deklaruar ai.








