Opinionisti thotë se kërkesa për dënim përbën ndëshkim kolektiv dhe i bën thirrje Presidentes të mbledhë liderët politikë për një qëndrim të përbashkët.
Opinionisti Ilir Deda e ka cilësuar skandaloze kërkesën e Prokurorisë së Specializuar për dënim ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se ajo, sipas tij, përbën ndëshkim kolektiv dhe jo individual.
Sipas Dedës, një qasje e tillë bie ndesh me praktikat ndërkombëtare të drejtësisë, përfshirë edhe Tribunalin e Hagës për krimet në ish-Jugosllavi, ku përgjegjësia ka qenë gjithmonë individuale.
“Kërkesa e prokurorisë speciale është skandaloze sepse, ndër të tjera, kërkon ndëshkim kolektiv e jo individual siç është praktika ndërkombëtare deri sot. Kjo përbën precedent të paparë dhe rezulton të jetë më shumë kërkesë politike sesa e drejtësisë, sepse ndëshkimi kolektiv është ndëshkim i krejt Kosovës”, ka deklaruar ai.
Deda ka kërkuar reagim institucional dhe politik, duke i bërë thirrje Presidentes së Kosovës që të mbledhë të gjithë liderët partiakë për të formuluar një pozicion të përbashkët shtetëror.
“Pse nuk i thërret Presidentja të gjithë liderët partiakë që të formulohet pozicioni i shtetit dhe të ndërmerren të gjithë hapat pasues? Kosova duhet menjëherë të fillojë të ndërtojë një pozicion të unifikuar politik dhe juridik”, ka theksuar Deda.








