Një ngjarje e rëndë tragjike që kishte tronditur rajonin e Gjakovës ka marrë sot epilog një akti fisnik të faljes dhe pajtimit.
Familja Brahimaj, në një gjest që lartëson vlerat tradicionale shqiptare, ka vendosur t’i shtrijë dorën e pajtimit familjes Sadriu nga Stublla, duke mbyllur kështu plagën e hapur nga tragjedia e fundit.
Lajmin e ka bërë të ditur Daut Haradinaj, i cili ka marrë pjesë në këtë ceremoni pajtimi së bashku me Shaqir Strellcin.
Përmes një njoftimi, Haradinaj ka bërë të ditur se pavarësisht dhimbjes së madhe për humbjen e familjarit të tyre, Mehmeti dhe Skenda nga familja e Naser Brahimajt, kanë gjetur forcën për të treguar një shembull të jashtëzakonshëm të vëllazërisë.
“Sot familja Brahimaj nderoi veten dhe kombin tonë duke i shtrirë dorën e pajtimit familjes Sadriu nga Stublla e Gjakovës. Edhe pse humbën mashkullin e familjes, ata treguan vlera shqiptare dhe dëshmuan se nuk ka plumb për vëllezërit shqiptarë,” ka shkruar ndër të tjera Haradinaj.









