Një nga momentet më të rralla dhe më të guximshme të kohës ndodhi para plot 57 vitesh në qytetin e Pejës, kur familja Gorani organizoi dasmën e parë me flamurin kombëtar shqiptar – në një kohë kur një veprim i tillë konsiderohej i paimagjinueshëm.
Më 10 tetor 1968, Saud Gorani, së bashku me Rashit Goranin dhe gjithë familjen, morën vendimin historik për të zhvilluar ceremoninë martesore me flamurin kuqezi në krye. Bajraktar i dasmës ishte caktuar Qamil Gorani.
Flamuri ishte qëndisur me kujdes nga familja e Remzi Balokut dhe u shpalos për herë të parë një natë para dasmës në shtëpinë e Reshat Goskes. Të pranishëm në këtë ngjarje të pazakontë ishin edhe Ejyp Kastrati, Muhamet Kastrati, Adem Mulhaxha, Ejyp Zatriqi dhe Halil Gjikolli – të cilët me krenari kënduan Himnin Kombëtar shqiptar.
Më 13 tetor 1968, rreth 100 dasmorë të armatosur u nisën në këmbë nga lagjja Jarina drejt lagjes Karagaq, me flamurin kombëtar në ballë të karvanit. Aty, gjyshi i familjes, patrioti Avdullah Zeka, dha një urdhër simbolik që do të mbahej mend:
“Zbriti krejt plisat nga tavani i shtëpisë!”
Si rezultat, rreth 500–600 plisa iu shpërndanë dasmorëve, duke e kthyer ceremoninë martesore në një manifestim të vërtetë kombëtar.
Në kthim nga nusërimi, nga Karagaqi drejt Jarinës, karvanit iu bashkuan shumë qytetarë të Pejës, duke e kthyer atë ditë në një festë të madhe kombëtare në zemër të qytetit.
Ky rrëfim i jashtëzakonshëm është përgatitur me ndihmën e nënës – nuses së parë të dasmës me flamur – dhe përçon një mesazh të fortë për dashurinë ndaj kombit dhe simbolit më të shenjtë të tij: Flamurit!







