Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Dardan Krasniqi ka shprehur vlerësim për figurën ushtrueses së presidentes, Albulena Haxhiut, duke e cilësuar atë si një personalitet të rëndësishëm në skenën politike të vendit.
Krasniqi tha se si familjar ndihet krenar me rrugëtimin e saj, pavarësisht sfidave dhe ulje-ngritjeve që kanë shoqëruar angazhimin e tyre politik ndër vite.
“Si familjar jam krejt krenar me një personalitet çfarë është Lena, pavarësisht rrugëtimit tonë politik që kemi pasur rënie e ngritje për shkak të shumë momenteve që kemi kaluar”, tha Krasniqi.
Ai theksoi se Albulena Haxhiu njihet për rolin e saj në periudhën e pasluftës dhe e cilësoi atë si një figurë politike për të cilën mund të ketë kritika në disa momente të veprimeve në Kuvend, përfshirë edhe përdorimin e gazit lotsjellës, të cilin e konsideroi si kauzë të drejtë në atë kohë. Megjithatë, Krasniqi vlerësoi se ajo nuk ka qenë pjesë e proceseve të dëmshme për Kosovën.
“Është një personalitet që, përveç veprimtarisë patriotike familjare, përfaqëson edhe rrugëtimin e saj politik dhe nuk ka qenë pjesë e asnjë të keqeje që i ka ndodhur Kosovës – as e privatizimit, as e ‘Zajednicës’, as e Gjykatës Speciale”, shtoi tutje Krasniqi.









