Zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Daçiq e ka cilësuar vendimin si konfirmim të pretendimeve të Serbisë për UÇK-në, duke pretenduar se aktgjykimi dëshmon se kjo organizatë ishte “organizatë kriminale dhe terroriste”.
Sipas tij, udhëheqësit e lartë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së kanë qenë përgjegjës për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Megjithatë, Dhomat e Specializuara i kanë gjykuar katër ish-krerët mbi bazën e përgjegjësisë së tyre penale individuale. Ata u shpallën fajtorë për krime lufte, ndërsa u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Daçiq ka kritikuar pikërisht rrëzimin e akuzave për krime kundër njerëzimit, duke e cilësuar atë si “manovër politike”. Ai ka pretenduar se ky vendim minimizon vuajtjet e viktimave serbe.
Sipas tij, as dënimet e shqiptuara nuk janë të mjaftueshme për familjet e viktimave.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.








