Një stuhi e fortë shiu ka tronditur Maoçin në afërsi të Brçkos të Bosnje-Hercegovinës.
Banorët raportojnë dëme të konsiderueshme, çati të dëmtuara dhe degë të rrëzuara, ndërsa stuhia u zgjat për vetëm disa minuta, por me intensitet të jashtëzakonshëm, duke lënë pas frikë dhe rrënoja.

Sipas N1BiH, stuhia “shkatërroi gjithçka”, rrëzoi pemë, dëmtoi çati, goditi automjete dhe copëtoi pjesë të infrastrukturës lokale.
Meteorologët paralajmërojnë se stuhitë e papritura, të ndikuara nga përzierja e valës së nxehtë dhe depërtimit të ajrit të ftohtë, mund të sjellin edhe rrufe, breshër dhe përmbytje kryesisht në pjesën veriperëndimore të vendit, përfshi Bihaçin.
Ndërkohë temperaturat në Slloveni kanë rënë në atë nivel të ulët sa majat më të larta të vendit të përjetojnë borën e korrikut.
Bora ka rënë mbi sipërfaqet që janë rreth 2,200 metra mbi nivelin e detit, ka njoftuar Agjencia sllovene e Mjedisit.
Pamjet kanë treguar shenjat e para të borës së korrikut në Kredarica dhe Kanin.

Kredarica është pikë e rëndësishme për monitorimin e motit, pasi aty është stacioni më i lartë meteorologjik i Sllovenisë në 2,514 metra mbi nivelin e detit.







