Gjuajtjet me kallashnikov dje gjatë ditës, rreth orës 16:15, në afërsi të Qendrës së Paraburgimit në Pejë tronditën vendin, teksa nga të njëjtat të shtëna u plagosën rëndë dy persona. Në vendin e ngjarjes, Policia e Kosovës me një reagim të shpejtë, arriti ta arrestojë të dyshuarin e rastit.
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë për qëllim hakmarrjen.
Në vitin 2022, më saktësisht më 28 prill, personat që mbetën të plagosur dje nga i dyshuari tashmë i arrestuar për gjuajtjet me kallashnikov, ishin dyshuar për vrasjen e vëllait të këtij të fundit, ngjarje e cila gjithashtu pati tronditur të gjithë vendin.
Atë kohë, në fshatin Volljakë, të Klinës, nën motivet për hakmarrje, mbeti i vrarë Fazli Hoxha (vëllai i të arrestuarit dje në Pejë), njëkohësisht djali i dëshmorit të kombit, Fazli Hoxha.
Pas rreth tri viteve, njëri nga të dyshuarit për këtë vrasje, u lirua dje nga paraburgimi, me çrast me të dalë nga Qendra e Paraburgimit, pasi u fut në një veturë, u plagos rëndë nga tashmë i arrestuari.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Me të dalë nga Qendra e Paraburgimit një person i cili ka qenë që një kohë të gjatë nën masën e paraburgimit për një rast që ka ndodhur para disa vitesh në Volljakë të Klinës, ku për fat të keq në atë kohë pati humbur jetën një person, pasi është liruar nga gjykata ky person, është futur në një veturë, me ç’rast ka dalë menjëherë një person tjetër i dyshuar e dy armë zjarri në duar, të llojit kallashnikov, dhe ka shtënë në drejtim të tyre”, tha ai.
Dy të plagosurit po trajtohet për plagët e marra, teksa njëri është dërguar në QKUK, dhe tjetri po vazhdon trajtimin në Spitalin Rajonal të Pejës.









