Nënkryetarja e PDK-së thotë se përfshirja e lahutës në listën e trashëgimisë së mbrojtur rikujton forcën e rrënjëve kulturore të shqiptarëve.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, është shprehur e entuziazmuar pas lajmit se lahuta është shpallur pjesë e trashëgimisë së mbrojtur nga UNESCO. Përmes një reagimi, ajo tha se ky vendim përbën një moment krenarie për kulturën shqiptare.
“Shumë e lumtur që Lahuta jonë më në fund është shpallur pjesë e trashëgimisë së mbrojtur nga UNESCO. Ky është një lajm që na mbush me krenari dhe na rikujton forcën e rrënjëve tona kulturore”, shkroi Çitaku.
Ajo kujtoi me emocion edhe shënimin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës në Washington DC, ku gjatë koncertit solistik të Ramë Lahajt, mjeshtri Vasel Shkreli solli tingujt e lahutës, duke krijuar një atmosferë të veçantë që, sipas saj, lidhi të pranishmit me historinë dhe epikën shqiptare.
“Sot, Lahuta jonë është e mbrojtur. Kultura jonë është e nderuar”, përfundoi Çitaku.






