Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kërkuar reagim të shpejtë nga shteti dhe institucionet e Kosovës pas vendimit të Gjykatës Speciale, me të cilin u dënuan katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një reagimi në Facebook, Çitaku ka thënë se institucionet e Kosovës nuk duhet të qëndrojnë pasive, pasi, sipas saj, vendimi lidhet drejtpërdrejt me historinë e vendit.
Ajo ka bërë thirrje që Kosova të mos presë që koha t’i zgjidhë vetë këto çështje, por që institucionet të reagojnë dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme.
Postimi i plotë:
Ani “vendimi nuk e ndryshon historinë e Kosovës”, po thonë disa.
Flasim pas 3 apo 4 vitesh sa mund ta ndryshojë, nëse ne sot nuk veprojmë shpejt.
Edhe një herë, ta kemi krejt të qartë: dje UÇK-ja u shpall ndërmarrje e përbashkët kriminale, në emër të popullit. Kaq e thjeshtë dhe kaq e rëndë është.
Nuk ka akuza individuale për veprimet konkrete të secilit prej tyre. Verdikti është ndërtuar mbi një narrativë kolektive, e cila e kriminalizon vetë luftën.
Një vendim që, në bindjen time, duket sikur ishte shkruar para se gjykimi të përfundonte. Një vendim që e ka shpërfillur pothuajse në tërësi punën e mbrojtjes. Ka shpërfillur dëshmitë e Wesley Clark, James Rubin dhe dëshmitarëve të tjerë të mbrojtjes.
Një verdikt drakonik, që shkoi edhe përtej asaj që kishte pritur Prokuroria.
Prandaj tani nuk kemi luksin të rrimë e të presim që koha t’i rregullojë gjërat vetë.
Është detyra jonë, si shtet dhe si institucione, të reagojmë shpejt, seriozisht dhe institucionalisht.
Sepse historia nuk mbrohet vetëm duke thënë se nuk mund të ndryshohet. Historia mbrohet duke vepruar kur dikush përpiqet ta rishkruajë.
Nuk ka kohë për dorëzim.








