Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së ka reaguar ashpër ndaj procesit në Gjykatën Speciale, duke e quajtur atë “deformim të drejtësisë” dhe “përndjekje”.
Ajo ka theksuar se heshtja e institucioneve të Kosovës është e papranueshme dhe se mbrojtja e ish-liderëve të UÇK-së nuk bëhet me deklarata boshe, por me veprime konkrete institucionale.
Sipas saj, Ministria e Jashtme dhe Presidenca do të duhej ta kishin këtë çështje prioritet kombëtar, ndërsa ka kritikuar edhe kryeministrin Albin Kurti, i cili, sipas saj, “nuk guxon të hapë gojën përballë Speciales”.
Postimi i plotë:
Ajo që po bën Gjykata Speciale është deformim i drejtësisë. Është përndjekje.
E heshtja e institucioneve të Kosovës është shurdhuese.
Liderët e UÇK-së nuk mbrohen me fjalime boshe apo me deklarata populiste. Ata mbrohen me veprime konkrete, diskrete dhe institucionale.
Fatkeqësisht, luftëtarët tanë janë braktisur nga institucionet. Ministria e Jashtme dhe Presidenca, në rrethana të tilla, do të duhej ta kishin këtë çështje prioritet kombëtar.
E Kurti, që nuk ka asnjë problem të ofendojë e të sulmojë prokurorë e gjyqtarë të Kosovës, përballë Speciales nuk guxon as të hapë gojën.
Të mjerë.






