Modeli Renault Clio po ngjitet drejt majës së tregut europian të makinave për nëntorin, me 19,213 shitje, një rritje prej 14% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo është hera e katërt në vitin 2025 që supermini francez renditet i pari për një muaj, duke lënë pas Dacia Sandero, i cili ra në vendin e dytë me 18,932 shitje (-12%).
Ndërrimi i vendit mes dy modeleve të grupit Renault tregon një tendencë të qartë: konsumatorët europianë po orientohen gjithnjë e më shumë drejt makinave të përballueshme, në një kohë kur çmimet e reja mbeten dukshëm më të larta se dekadën e kaluar. Megjithatë, Sandero mbetet makina më e shitur e vitit deri në nëntor.
Në pesëshen më të mirë për nëntorin, VW T-Roc ruan vendin e tretë me një rritje të lehtë, ndjekur nga Toyota Yaris Cross, ndërsa VW Golf dhe Tiguan garojnë ngushtë për vendin e pestë. Ndërkohë, Tesla Model Y pëson rënie me 38% dhe del nga dhjetëshja më e mirë, ndërsa Model 3 rritet ndjeshëm falë një versioni më të lirë për tregun europian.
Tregu në tërësi u rrit me 2.2% në nëntor, duke vijuar një ecuri pozitive për vitin 2025. Modelët elektrikë luajtën rol kyç në këtë rritje: automjetet 100% elektrike u rritën me 37% dhe plug-in hibridet me 34%.
Rritje të fortë shënuan edhe prodhuesit kinezë, të cilët dyfishuan pjesën e tregut në 7.4%, me shitje mbi 100% më të larta. Marka si MG, BYD dhe Chery po shtojnë ndikimin e tyre dhe po sfidojnë prodhuesit europianë dhe japonezë. Ndërkohë, markat premium shënuan rënie të përgjithshme, me humbje të mëdha për kompani si Porsche dhe Volvo.








