Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për “vlerësimin e konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113(3)(1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.”
Në hyrje të dokumentit 27 faqësh, thuhet se Presidentja i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese pas përpjekjeve të vazhdueshme për të lehtësuar procesin e një marrëveshjeje politike që do të mundësonte konstituimin e Kuvendit. Ajo thekson se kjo kërkesë është e nevojshme për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve dhe parandalimin e pasojave të pariparueshme.
Në lidhje me kërkesën për masë të përkohshme, Osmani shprehet se pezullimi i rrjedhjes së afatit 30 ditor për konstituimin e Kuvendit është në interes të publikut dhe ka për qëllim parandalimin e dëmit të pariparueshëm për shtetin dhe qytetarët. Presidentja thekson se mungesa e Kuvendit po rezulton me rrezikimin e ushtrimit të sovranitetit të Kosovës, veçanërisht përmes përfaqësuesve të zgjedhur dhe ndarjes së pushteteve.
Në kërkesën e saj, Presidentja Osmani kërkon nga Gjykata Kushtetuese:
Të shpallë kërkesën të pranueshme;
Të miratojë kërkesën për masë të përkohshme;
Të bëjë vlerësimin preventiv (ex ante) të konfliktit të kompetencave mes institucioneve kushtetuese në rast të konstituimit të Kuvendit pas afatit kushtetues;
Të zgjidhë konfliktin kushtetues të kompetencave, përfshirë pasojat juridike të mungesës së konstituimit të Kuvendit brenda afatit të caktuar në nenin 66(1) të Kushtetutës dhe Aktgjykimit KO 124/25;
Të zgjidhë konfliktin kushtetues të kompetencave, përfshirë pasojat në ushtrimin e kompetencave të Presidentes së Republikës në raport me një Kuvend që mund të konstituohet pas afatit të caktuar;
Të sqarojë të gjitha efektet e tjera juridike lidhur me moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues.
Dokumenti i plotë mund të gjendet të bashkangjitur KËTU.







