Çfarë i ndodh trupit kur anashkalohet mëngjesi? Ekspertët paralajmërojnë për luhatje të sheqerit në gjak

Anashkalimi i mëngjesit mund të ndikojë në rregullimin e sheqerit në gjak, nivelin e energjisë dhe ndjenjën e urisë gjatë ditës, veçanërisht te personat me probleme metabolike.

Ekspertët shpjegojnë se mëngjesi ndërpret agjërimin e natës. Kur vakti i parë shtyhet, zgjatet periudha pa ushqim dhe trupi detyrohet të punojë më shumë për ta mbajtur nivelin e glukozës brenda kufijve normalë.

Për ta parandaluar rënien e tepërt të sheqerit në gjak, pankreasi liron hormonin glukagon, i cili i sinjalizon mëlçisë të çlirojë glukozën e depozituar.

“Kur njerëzit e anashkalojnë rregullisht mëngjesin, sheqeri në gjak zakonisht mbetet brenda kufijve normalë, por trupi mundohet më shumë për ta mbajtur atë”, ka thënë endokrinologia Reka Kumar për revistën “Health”.

Periudhat më të gjata pa ushqim mund të rrisin edhe nivelin e acideve yndyrore në qarkullim. Sipas dietologes Kelly Candela, kjo me kalimin e kohës mund të kontribuojë në rezistencë ndaj insulinës.

Mungesa e ushqimit në orët e para të ditës mund të ndikojë edhe në funksionimin e trurit. Disa persona mund të përjetojnë mjegullim mendor, nervozizëm, vështirësi në përqendrim ose dhimbje koke.

Kur trupi nuk merr glukozë për një periudhë të gjatë, ai mund të nisë prodhimin e ketoneve dhe ta përdorë yndyrën si burim energjie. Megjithatë, sipas endokrinologes Jillian Goddard, ketonet mund të kontribuojnë gjithashtu në ndjesinë e mjegullimit mendor.

Hulumtimet e cituara tregojnë se anashkalimi i mëngjesit mund të shoqërohet me rritje më të madhe të sheqerit në gjak pas drekës. Sipas Candelas, edhe personat e shëndetshëm mund të përjetojnë rritje 40 deri në 50 për qind më të madhe të glukozës pas drekës, krahasuar me ditët kur kanë ngrënë mëngjes.

Anashkalimi i këtij vakti mund të shtojë edhe urinë gjatë ditës, duke bërë që disa persona të konsumojnë më shumë kalori dhe, me kalimin e kohës, të shtojnë peshë.

Ekspertët theksojnë se metabolizmi dhe ndjeshmëria ndaj insulinës ndjekin ritmet natyrore të trupit. Organizmi zakonisht e përpunon glukozën në mënyrë më efikase gjatë pjesës së parë të ditës, prandaj shtyrja e vakteve mund të veprojë kundër këtij ritmi.

Efektet mund të jenë më të theksuara te personat me paradiabet, diabet të tipit 2, sindromën e vezoreve policistike ose probleme të tjera metabolike. Te gratë në perimenopauzë, luhatjet e estrogjenit mund të ndikojnë gjithashtu në ndjeshmërinë ndaj insulinës.

Për një nivel më të qëndrueshëm të sheqerit në gjak, ekspertët rekomandojnë një mëngjes të balancuar me rreth 25 gramë proteina, yndyra të shëndetshme, fibra të tretshme dhe karbohidrate me indeks glikemik të ulët ose mesatar.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit