Një studim i ri sugjeron se ajo që njerëzit hanë gjatë ditës, madje edhe vetëm për drekë, mund të ndikojë në mënyrën se si sistemi ynë imunitar reagon ndaj infeksioneve, dhe kjo mund të ndodhë brenda vetëm disa orësh.
Studiuesit thonë se koha dhe mënyra e ushqyerjes mund të luajnë rol të rëndësishëm në reagimin e trupit ndaj sëmundjeve.
Në studim, shkencëtarët analizuan mostrat e gjakut të 31 personave para mëngjesit dhe më pas gjashtë orë më vonë, pasi ata kishin ngrënë mëngjes dhe drekë. Rezultati: qelizat T, një lloj i rëndësishëm i qelizave imunitare, ishin më të përgatitura për të luftuar infeksionet pas ushqimit, krahasuar me gjendjen kur personat ishin esëll, raporton Scientific American.
Rezultatet u publikuan në revistën Nature.
Sipas autorit kryesor të studimit, Greg Delgoffe nga University of Pittsburgh, qelizat T pas ushqimit ishin “më funksionale”.
“Ato ishin më të mira në kryerjen e detyrave që bëjnë zakonisht qelizat T”, ka thënë ai.
Çka janë qelizat T?
Qelizat T (limfocitet T) janë si “ushtarët” e sistemit imunitar. Ato qëndrojnë në trup dhe reagojnë kur zbulojnë viruse, baktere apo edhe qeliza kancerogjene. Kur identifikojnë një rrezik, ato aktivizohen dhe shumohen për të luftuar infeksionin.
Në këtë studim, këto qeliza ishin më aktive dhe më të forta pas një vakti ushqimor.
Eksperimente të mëtejshme te minjtë treguan se edhe lloji i ushqimit ka rëndësi.
Një dietë më e pasur me yndyra, në këtë rast vaj misri, duket se ndihmonte më shumë në forcimin e qelizave T, krahasuar me dietat e pasura me karbohidrate apo proteina.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se kjo nuk do të thotë që njerëzit duhet të konsumojnë sasi të mëdha yndyrash për të shmangur sëmundjet.
“Nuk duam që dikush të fillojë të pijë një litër vaj misri”, ka thënë Delgoffe.
Ajo që sugjeron studimi është se një dietë e balancuar, që përfshin edhe yndyra të shëndetshme, mund të ndihmojë në forcimin e përgjigjes imunitare.
Një tjetër gjetje interesante ishte se përfitimi nga ushqimi nuk është vetëm i përkohshëm.
Qelizat T që u përmirësuan pas një vakti ruajtën këtë “avantazh” edhe pas një jave.
Studiuesit shpresojnë që këto rezultate të ndihmojnë në zhvillimin e trajtimeve më të mira, përfshirë terapi kundër kancerit dhe mënyra për të përmirësuar efektin e vaksinave.
“Jemi shumë të emocionuar për hapat e ardhshëm”, ka përfunduar ai.









