spot_img
Tuesday, December 16, 2025
spot_img

Çfarë fshihet pas një telefonate që ndezi një natë terrori?

  • Shkruar nga Gjergj Zefi

Në orët e vona të 3 korrikut, një zhvillim i heshtur por fatal ndodhi në skenën ndërkombëtare: një bisedë telefonike ndërmjet Donald Trump dhe Vladimir Putin, pa protokoll diplomatik, pa ndërmjetësim ndërkombëtar, pa transparencë. Vetëm disa orë më vonë, mbi 550 raketa dhe dronë shpërthyen në qiellin e Kievit, në sulmin më të egër ajror ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës.

E gjitha kjo nuk ishte një rastësi. Ishte një mesazh. Një sinjal që tregoi se Kremlini, i nxitur nga një Evropë e segmentuar dhe nga një Amerikë që po zhbëhet si lidere e lirisë globale, ka zgjedhur të flasë me zjarr.

Donald Trump, Presidenti i rikthyer që po tenton të riformatojë pozicionin e SHBA-së në politikën botërore, deklaroi se telefonata me Putinin nuk solli “asnjë përparim”. Por kjo është një mënyrë për të maskuar faktin se nuk pati asnjë presion real, asnjë vijë të kuqe, asnjë garanci për Ukrainën. Kremlini e quajti bisedën “konstruktive”. Në gjuhën diplomatike të Rusisë, kjo do të thotë: “nuk na tha jo”. Dhe kur Perëndimi nuk thotë “jo”, Putini nënkupton “Zjarr!”.

Rusia reagoi menjëherë me një breshëri raketash që goditën civilë, infrastrukturë, rrugë dhe shkolla në gjashtë rajone të kryeqytetit ukrainas. Kjo nuk ishte vetëm një hakmarrje ndaj qëndresës ukrainase, por edhe një test për të parë sa larg mund të shkojë pa pasoja. Dhe tani që Trump ka pezulluar mbështetjen ushtarake për Kievin, duke ndalur dërgimin e sistemeve mbrojtëse Patriot, Stinger dhe HIMARS, Ukraina është më e pambrojtur se kurrë. Por ajo nuk është dorëzuar. Ka nisur të prodhojë vetë dronë luftarakë dhe po kërkon ndihmë përmes vendeve të treta evropiane që të blejnë armatim amerikan, pasi Uashingtoni zyrtar nuk lëviz më.

🔊
Ndërkohë, Evropa ka filluar të lëvizë. Franca dhe Britania kanë ringjallur një “koalicion të vullnetit” për të siguruar mbrojtje ndaj Ukrainës. Gjermania, si gjithnjë, vepron me kujdes. Por e gjithë kjo ndodh teksa SHBA e drejtuar nga Trump duket më shumë si një ndërmjetës pasiv mes agresorit dhe viktimës, sesa si mbrojtës i rendit ndërkombëtar. Ndërsa Ukraina digjet, Perëndimi debaton.

Po Shqipëria? Shqipëria hesht. Asnjë reagim zyrtar nga Tirana për sulmin më brutal ndaj një kryeqyteti evropian. Asnjë qëndrim për bisedën Trump–Putin që po vendos fatin e një kontinenti. Në një rajon si Ballkani, ku ndikimi rus, investimet kineze dhe infiltrimet serbe janë të përditshme, heshtja diplomatike është vetëvrasje politike. Nëse nuk reagojmë sot për sulmet ndaj Kievit, nuk do kemi asnjë fuqi të reagojmë nesër kur Kosova të kërcënohet, apo kur integrimi i Shqipërisë në BE të bllokohet nga interesa të huaja.

Sot, lufta në Ukrainë nuk është më thjesht një konflikt për territor – është betejë për drejtimin moral dhe politik të botës. Dhe kur rrjedha e kësaj bote po vendoset në telefonata të fshehta mes autokratëve dhe liderëve që shohin paqen si mundësi për pazare, heshtja e të tjerëve bëhet bashkëfajësi.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit