spot_img
Thursday, December 18, 2025
spot_img

Çfarë do të ndodhë nëse Rusia fiton në Ukrainë?

Në këtë botë, ka disa aktivitete njerëzore, në të cilat mund të fitojnë të dyja palët. Por lufta nuk është njëra prej tyre. Këtë luftë e fiton ose Ukraina ose Rusia. Ish-Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba, e pranon hapur se nëse nuk ndryshohet trajektorja aktuale “ne do ta humbim këtë luftë”.

Për të qenë të qartë: ky skenar është ende i shmangshëm. Supozoni sikur afro 4/5 e territorit ukrainas që kontrollohet ende nga Kievi, të përfitojë nga Perëndimi mbështetje ushtarake të mjaftueshme për të penguar çdo përparim të mëtejshëm të rusëve, investime në shkallë të gjerë për rindërtimin e ekonomisë dhe infrastrukturës.

Apo edhe nga inkurajimi i ukrainasve që të kthehen nga jashtë për të rindërtuar vendin e tyre dhe nxitjen e politikave dhe reforma të qëndrueshme pro-evropiane. Brenda 5 vjetësh, ky vend hyn në BE dhe më pas, nën një administratë të re në SHBA, nis procesin e anëtarësimit në NATO. Pjesa më e madhe e Ukrainës bëhet një vend sovran, i pavarur, i lirë, i ankoruar fort në sferën perëndimore. Sigurisht, humbja e një territori të konsiderueshëm, vuajtjet e të paktën 3.5 milionë ukrainasve që jetojnë nën pushtimin rus dhe numri i të vdekurve, të gjymtuarve dhe të traumatizuarve do të përbënin një kosto të tmerrshme.

Ajo nuk do të ishte fitorja e plotë që kanë shpresuar dhe meritojnë ukrainasit. Por gjithsesi, do të ishte një fitore për Ukrainën, dhe një humbje historike për Rusinë. Shumica e ukrainasve mund ta shohin si të tillë. Në sondazhin e Institutit Ndërkombëtar të Sociologjisë në Kiev (KIIS), ukrainasit u pyetën nëse për t’i dhënë fund luftës, do të pranojnë kombinimin e rindërtimit ekonomik me anëtarësimin në BE dhe NATO, vetëm në territorin që mbetet aktualisht i lirë. Vetëm në 6 muajt e fundit, përqindja e atyre që thonë “Po”, është rritur nga 47 në 64. Por për të arritur tek ky rezultat, dhe me Donald Trumpn në Shtëpinë e Bardhë, do të duhej një koalicion evropian i gatshëm të marrë angazhime sigurie të një madhësie dhe guximi të paparë deri më tani.

Në mesin e udhëheqësve evropianë ka një vetëdijësim në rritje lidhur me këtë. Megjithatë në shumicën e vendeve evropiane, politika demokratike është shumë larg fuqizimit të tyre për ta bërë këtë. Për t’i bindur evropianët që të mbështesin politikat e nevojshme, por edhe për të kuptuar pasojat nëse – siç duket me shumë gjasa – nuk e bëjnë këtë në kohë, pyetja që duhet  të shtrojmë është: Po sikur të fitojë Rusia?

Nëse ndodh kjo, duhet të presim këto pasoja për Ukrainën, Evropën, Shtetet e Bashkuara dhe paqen botërore. Ukraina do të mposhtej, do të ndahej, do të demoralizohej dhe do të shpopullohej. Nuk do të jepeshin para për të rindërtuar vendin; përkundrazi një valë tjetër njerëzish do ta braktisnin atë.

Politika në Kiev, do të kishte një prirje të fortë anti-perëndimore. Do të shfaqeshin mundësi të reja për keqinformim dhe destabilizim politik nga ana e Rusisë. Do të ngecnin në vend reformat e nevojshme, dhe si rrjedhim nuk do të kishte përparim drejt anëtarësimit në BE.

Evropa në tërësi do të përjetonte një përshkallëzim të luftës hibride, të cilën Rusia po e zhvillon tashmë kundër saj, kryesisht ende pa u vënë re nga shumica e evropianëve perëndimorë, që vazhdojnë të qetë blerjet dhe festimin e Krishtlindjeve.

Dhe nuk kalon asnjë javë pa ndonjë incident: një destrojer rus qëllon mbi një helikopter ushtarak gjerman; shpërthejnë disa pako të DHL-së, sabotime në linjat hekurudhore franceze, zjarrvënie në një biznes në pronësi të Ukrainës në lindje të Londrës; këputje e kabllove nënujore në Detin Baltik.

Po ashtu, ekziston rreziku i një atentati ndaj për një prodhuesi gjerman të armëve. Jo të gjitha mund të ka kenë origjinën në Moskë, por shumica e tyre po. Lufta hibride me një spektër të plotë, përfshin ndërhyrjen në proceset zgjedhor. Në Gjeorgji u manipuluan së fundmi zgjedhjet parlamentare.

Në referendumin mbi procesin e hyrjes në BE që u mbajt në Moldavi, sipas presidentes Maia Sandu rreth 9 për qind e votave u blenë drejtpërdrejt nga Rusia. Në Rumani, u anulua raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale, pasi një gjykatë gjeti shumë shkelje të rregullave të fushatës përmes platformës TikTok.

“Epo, kjo është Evropa Lindore!”- do të thotë me ironi blerësi i vetëkënaqur i Krishtlindjeve në Madrid, Romë apo Dyseldorf. Megjithatë, kreu i shërbimit të brendshëm të sigurisë në Gjermani, paralajmëroi kohët e fundit se Rusia do të përpiqet të ndërhyjë edhe në zgjedhjet parlamentare gjermane që do të mbahen në vend në shkurt të vitit që vjen, të cilat vështirë se janë të parëndësishme për të ardhmen e Evropës.

Këtë javë, e pamë sërish Vladimir Putinin me një vetëbesim jashtëzakonisht të madh në konferencën e tij vjetore për mediat, si dhe në maratonën e telefonatave “Call-the-Tsar” (Telefonoji Carit), pavarësisht vrasjes së gjeneralit të tij të armëve kimike nga Ukraina.

Ai e drejton një vend me një ekonomi lufte, të varur nga prodhimi ushtarak për rritjen e qëndrueshme, dhe përmes një diktature që e ka jetike përplasjen me Perëndimin. Do të ishte përtej naives, që të shpresonim se vetëm diplomacia mund të prodhojë një moment magjik, kur Rusia e Putinit do të “kënaqet” befas me një lloj rezultati në Ukrainë, dhe do t’i kthehet biznesit si zakonisht në kohë paqeje.

Kur strategët e NATO-s thonë se duhet të jemi gati për një agresion të mundshëm rus kundër territorit të NATO-s deri në vitin 2029, ata nuk janë duke na tmerruar enkas për të rritur buxhetet ushtarake. Votuesit e Trumpit në Shtetet e Bashkuara mund të thonë: “Epo, çfarë rëndësie ka kjo për ne? Ju evropianët kujdesuni për veten! Ne duhet të shqetësohemi për Kinën”.

Por tani Rusia po punon më ngushtë se kurrë me Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin. Putin është vërtet i paditur nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, por ai udhëton ende gjysmën e botës si një mysafir i mirëpritur. Ai vetë ka folur për një “shumicë të re globale”, dhe për “formimin e një rendi botëror krejtësisht të ri”.

Në këtë rend të ri, lufta dhe pushtimi territorial janë instrumente krejtësisht të pranueshme të politikës, një vazhdimësi e helmimeve, sabotazheve, keqinformimit dhe ndërhyrjes në zgjedhje. Fitorja e Rusinë në Ukrainë, do ta inkurajojë Kinën të shtojë presionin e saj ndaj Tajvanit, por edhe të Koresë së Veriut mbi Korenë e Jugut.

Dhe kjo na çon te pasoja më e rëndë nga të gjitha: përhapja e mëtejshme e armëve bërthamore. Mos harroni se Ukraina hoqi dorë vullnetarisht armët e saj bërthamore në vitin 1994, në këmbim të garancive të sigurisë nga SHBA, Britania e Madhe dhe Rusia, dhe më pas u godit nga njëra prej fuqive që i premtoi siguri.

Në sondazhin e fundit të KIIS, 73 për qind e ukrainasve mbështesin “rikthimin e armëve bërthamore në Ukrainë”. Madje 46 për qind e tyre, thonë se janë dakord me këtë edhe nëse Perëndimi do të vendoste sanksione dhe do ta ndërpriste ndihmën.

Në fakt, ukrainasit po i thonë Perëndimit: Nëse nuk na mbroni, do ta mbrohemi vetë. Në vizitat  e fundit në Ukrainë ma kanë thënë disa herë: “Ose na fusni në NATO, ose do të pajisemi me armë bërthamore!”. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën.

Duke parë se çfarë po ndodh edhe në Lindjen e Mesme, vendet e cenueshme në mbarë botën, do të arrijnë në të njëjtin përfundim. Sa më shumë vende – dhe ndoshta aktorë jo shtetërorë – të kenë armë bërthamore, aq më e sigurt është se një ditë ato do të përdoren.

Në zgjedhjet parlamentare që po afrojnë, kancelari Olaf Scholz po përpiqet pa asnjë skrupull të shfrytëzojë frikën nga lufta bërthamore për ta pasur një avantazh elektoral ndaj rivalit të tij kryesor, kristiandemokratit Friedrich Merz.

Në fakt, janë pikërisht pasojat e vetëpërmbajtjes së Perëndimit nga frika e përshkallëzimit bërthamor rus në Ukrainë, të personifikuara nga Scholz dhe shfrytëzuara me mjeshtëri nga Putin, ato që po rrisin gjasat e përhapjes së armëve bërthamore, dhe rrjedhimisht të rrezikut afatgjatë të luftës bërthamore.

Përfundimi është i qartë dhe shumë i njohur: Ngurrimi i demokracive evropiane për të paguar një kosto të lartë tani, do të thotë se bota do të paguajë më vonë një çmim akoma më të lartë. “Kyiv Post

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit