- Shkruar nga Spartak Ngjela
Kur pushtuesi i një shteti apo i një territori futet në krizë si pushtues; ai nuk di se çfarë flet. Gënjen për historinë; kërcënon shtetin apo popullin që mendon se mund ta pushtojë; falsifikon historinë; por asgjë nuk arrin dot, sepse historia është histori.
Një i tillë është sot edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Ai është në një gjendje shqetësimi që po e fundos për ditë e më shumë çështja shqiptare, sot me dy shtete shqiptare të pavarura: Kosova dhe Shqipëria.
Kurse Vuçiç po na thotë se Kosova është territor i Serbisë. Po Dardania e kujt ka qenë?
Një komedi e madhe kjo e Serbisë sot, sepse pushtuesin e mundur në luftë gjithmonë e ka karakterizuar çmenduria dhe të folurit përçart.
Ja kjo është arsyeja që Vuçiç del përditë dhe flet kundër Kosovës, sikur ai vetë të jetë një perandor i forcës së një perandorie. Në një kohë që s’është askush.
Kurse shqiptarët e Kosovës tallen; ndërsa sot fytyra e Aleksandrit të jep përshtypjen sikur ai qan përditë për humbjen.
Por duhet ta kuptojë se Serbia dhe ai vetë do të shkojnë andej nga kanë ardhur: nga stepat e Azisë.
Sepse ne duhet ta theksojmë hapur që ka një rrjedhë historike e cila i ka shqetësuar deri në çmenduri drejtuesit e Serbisë, sipas kësaj pyetjeje: Ku keni qenë dhe nga keni ardhur ju serbët në Gadishullin Ilirik?
Ja, kjo është pyetja që e torturon pushtuesin serb në dy shekuj rresht. Por sot Serbia duhet ta kuptojë që historia është histori dhe Iliria, e Arbëria pas saj, kanë qenë superfuqi në Gadishullin Ilirik. Dhe kështu do të bëhen sërish.
Se e gjithë bota shqiptare në Gadishullin Ilirik do të bashkohet në tre shtete shqiptare, si fedaratë.
Dhe cilët janë këta shtete?
Shtetet janë: Shqipëria; Kosova, Çamëria dhe Maqedonia e Veriut. Ja kjo do të jetë Shqipëria etnike federative në katër shtete shqiptare, sepse ky shtet që në historinë tonë të lashtë quhet Arbëria, shpejt do të dalë në histori; ngaqë Arbëria klasike nuk është nevojë vetëm e shqiptarisë, por sot ajo është edhe brenda interesit të madh të politikës amerikane, në lidhje me botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor.






