spot_img
Thursday, December 11, 2025
spot_img

Cakolli analizon moscertifikimin e motrës së Donika Kadajt nga KQZ: …vendlindja në Sarajevë s’përbën provë identitare…

Eugen Cakolli nga KDI, ka thënë se moscertifikimi i kandidates Ena Krasniqit nga KQZ-ja nuk është i pari i kësaj natyre, e as i vetmi madje edhe në këto zgjedhje.

Ai ka thënë se, edhe më parë ka pasur situata ku kufiri midis vetëdeklarimit etnik dhe përfaqësimit real në ulëset e rezervuara vihet në pikëpyetje.

Bëhet fjalè për motren e Donika Kadajt, e cila ka argumentuar se Sarajeva është vendlinja e saj, por ai shton se nuk është provë identitare.

“Kur një kandidate ka një histori brenda hapësirës politike shqiptare, ka garuar më herët me parti shqiptare dhe nuk ka pasur ndonjë angazhim të dokumentuar me komunitetin boshnjak, është e natyrshme të shtrohet pyetja se si përputhet kjo me qëllimin e ulëses së rezervuar”, ka thënë ai.

Postimi i plotë i Cakollit:

Rasti i moscertifikimit të kandidates Ena Krasniqit nga KQZ-ja nuk është i pari i kësaj natyre, e as i vetmi madje edhe në këto zgjedhje. Edhe më parë ka pasur situata ku kufiri midis vetëdeklarimit etnik dhe përfaqësimit real në ulëset e rezervuara vihet në pikëpyetje.

Kur një kandidate ka një histori brenda hapësirës politike shqiptare, ka garuar më herët me parti shqiptare dhe nuk ka pasur ndonjë angazhim të dokumentuar me komunitetin boshnjak, është e natyrshme të shtrohet pyetja se si përputhet kjo me qëllimin e ulëses së rezervuar. Vendlindja në Sarajevë, ashtu si çdo analogji e ngjashme, nuk përbën provë identitare sipas standardeve zgjedhore.

Për më tepër, ka një standard të vendosur tashmë për raste të tilla. Kushtetuta dhe praktika gjyqësore kërkojnë që përfaqësimi i komuniteteve jo-shumicë të mos jetë vetëm deklarim formal, por substancial. Identiteti politik dhe publik duhet të reflektojë lidhje të qëndrueshme me komunitetin për të cilin kërkohet ulëse e rezervuar. Ky parim u konfirmua edhe në vitin 2021, kur u anuluan votat boshnjake të fituara në zona ku nuk jetonte ky komunitet.

Edhe ligji e parasheh qartë dallimin midis subjekteve që konkurrojnë për 100 ulëset e përgjithshme dhe atyre që duan të garojnë për ulëset e rezervuara. Subjektet multietnike mund të ekzistojnë në Kosovë, por ato mund të garojnë vetëm për 100 ulëset (për të cilat ka prag) e jo për ulëset e rezervuara.

Nëse pranohet garimi për ulëset e pakicave pa këtë lidhje të domosdoshme, hapet dera për precedentë që e relativizojnë funksionin e vetë ulëseve të rezervuara. Sistemi mund të kthehet lehtë në një instrument që ndikohet nga vota e shumicës ose nga kandidatura të improvizuara, duke dëmtuar idenë e përfaqësimit që mbron Kushtetuta. Në këtë aspekt, vendimi i KQZ-së është i arsyeshëm dhe brenda frymës së standardit kushtetues.

Megjithatë, edhe pretendimet për komplot janë të tepruara. Një kandidaturë e vetme nuk e ndryshon balancën politike të komunitetit boshnjak, dhe edhe nëse do të ekzistonte një tentativë e koordinuar, mjetet e ndikimit do të ishin të tjera, jo kjo. Orientimi i votës është i mundur në çdo rast dhe, siç e kemi parë edhe më herët, institucionet gjyqësore ndërhyjnë kur ky orientim prodhon përfaqësim artificial.

Rasti duket më shumë si një keqvlerësim dhe shfrytëzim i hapësirës ligjore, jo si projekt politik. Çështja, megjithatë mbetet e qartë. Përfaqësimi i komuniteteve jo-shumicë duhet të mbrohet nga instrumentalizimi. Kjo kërkon konsistencë, lidhje reale dhe respektim të standardit kushtetues të përfaqësimit substancial.

Këtë herë, KQZ-ja ka vendosur në përputhje me këtë standard. Megjithatë, duke pasur parasysh se edhe tash edhe më herët ka pasur kandidatë që e kanë kaluar këtë filtër të KQZ-së me përkatësi të dyshimtë etnike, ky parim duhet të zbatohet për secilin kandidat – pa përjashtim.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit