Sot në autostradën “Ibrahim Rugova” ka ndodhur një aksident me fatalitet. Një grua ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, ndërkaq bashkëshorti i saj ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kjo nuk është hera e parë që brenda këtij viti ka viktima në këtë autostradë. Shkaku është i njëjtë: përplasja me dheun e shembur në autostradë, i cili nuk është larguar nga autoritetet përgjegjëse.
Për këtë situatë shqetësuese dhe të rrezikshme ka reaguar edhe analisti Burim Ramadani.
Ai, mes tjerash, ka deklaruar se: Dikush nga Qeveria duhet të dënohet, sepse mirëmbajtja e autostradës është obligim ligjor.
Kjo kërkesë e Ramadanit duket se i ka penguar Drilon Zybës, personit i cili ka kaluar nga një pozitë në tjetrën në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë gjatë kohës sa në krye të saj ishte Rozeta Hajdari.
Djali i axhës së ish-deputetit të Vetëvendosjes, Sali Zyba, fillimisht ishte shofer i Hajdarit, ndërsa më pas u bë këshilltar politik i saj. Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai deklaroi: Mërgata jonë po bën aksion pastrimi në WC-të e Kosovës, sidomos në Suharekë Burim Ramadani.
Raporti i policisë për një tjetër aksident me fatalitet në po të njëjtën autostradë:
“Autostrada ‘Ibrahim Rugova’, Prizren /17.02.2026-14:30. Raportohet për një vetaksident trafiku me drejtues të veturës mashkull kosovar. Lëndime trupore kanë pësuar drejtuesi i veturës, i cili mbetet në trajtim mjekësor, si dhe dy pasagjerët kosovarë, ku si pasojë e plagëve ka vdekur viktima femër kosovare. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e PK-së.










