spot_img
spot_img
Friday, December 19, 2025
spot_img
spot_img

Buka e thekrës, aleati i tretjes së shëndetshme

Personat që kanë kapsllëk shpesh këshillohen të shmangin konsumimin e bukës së bardhë, në mënyrë që ushqimi të tretet më lehtë. Por ekspertët thonë se ka një përjashtim të rëndësishëm.

Studiues nga Britania kanë publikuar së fundmi udhëzime të reja ushqimore për personat e rritur që vuajnë nga kapsllëku kronik.

Sipas King’s College London, këto janë “udhëzimet e para ndonjëherë të bazuara në prova shkencore për dietën te të rriturit me kapsllëk kronik”, ka raportuar Fox News

Rekomandimet kryesore janë befasuese për shumë njerëz: kivi, uji mineral dhe buka e thekrës.

“Udhëzimet tona tregojnë se nuk ka prova të mjaftueshme që fibra, në përgjithësi, funksionon gjithmonë për kapsllëkun. Ndërkohë, hulumtimi ynë zbulon disa strategji të reja ushqimore që vërtet mund t’i ndihmojnë pacientët”, ka thënë autorja e studimit Eirini Dimidi.

Ajo ka shtuar se nevojiten urgjentisht më shumë studime cilësore për të forcuar provat se çfarë funksionon dhe çfarë jo.

Pse buka e thekrës bën dallimin?

Sipas gastroenterologes Roshini Raj nga New Yorku, e cila nuk ishte pjesë e studimit, buka e thekrës dallohet nga llojet e tjera të bukës për shkak se përmban shumë fibra.

“Në këtë studim, buka e thekrës u krahasua me bukën e bardhë dhe u gjet se vetëm buka e thekrës ndihmoi në lehtësimin e kapsllëkut. Buka e bardhë ka pak fibra dhe përmban miell të rafinuar, i cili mund ta përkeqësojë kapsllëkun”, ka shpjeguar ajo.

Raj ka theksuar se buka e thekrës përmban si fibra të tretshme, ashtu edhe fibra të patretshme.

“Këto ndihmojnë si në konsistencën e jashtëqitjes, ashtu edhe në shpeshtësinë e saj, duke i shtuar masë jashtëqitjes dhe duke tërhequr ujë në zorrë”, ka shpjeguar ajo.

Përfitime edhe për shëndetin e përgjithshëm

Raj ka treguar se thekra përmban edhe hekur, magnez, zink dhe vitamina të grupit B, të cilat ndihmojnë prodhimin e energjisë, funksionimin e sistemit imunitar dhe shëndetin e trurit.

Megjithatë, ajo këshillon që buka e thekrës të futet gradualisht në dietë, pasi mund të shkaktojë fryrje nëse konsumohet menjëherë në sasi të mëdha.

“Ka shumë ushqime të pasura me fibra, jo vetëm buka e thekrës. Prandaj është e rëndësishme të konsumoni larmi ushqimesh për të marrë edhe lëndë të tjera ushqyese”, ka thënë Raj.

Ajo ka shtuar se rritja e konsumit të ujit është gjithashtu shumë e rëndësishme për lehtësimin e kapsllëkut.

Edhe doktoresha Debra Muth nga Wisconsin, e cila nuk ishte e përfshirë në studim, ka thënë se thekra ndihmon në stabilizimin e sheqerit në gjak, mban ndjenjën e të qenit të ngopur më gjatë, ushqen bakteret e mira të zorrëve dhe i siguron trupit minerale të nevojshme.

“Sot, shumica e bukëve bëhen nga miell i rafinuar, i cili ka humbur fibrat, dhe për këtë arsye e përkeqëson kapsllëkun, në vend që ta ndihmojë. Thekra është ndryshe. Ajo ka më shumë fibra, ndikon më pak në rritjen e nivelit të sheqerit në gjak dhe është shumë më miqësore për zorrët. Është një nga të paktat bukë që ndihmon lëvizjen e zorrëve, në vend që ta ngadalësojë atë”, ka shpjeguar ajo.

Si ta zgjidhni saktë bukën e thekrës?

Për ata që duan ta përfshijnë më shumë bukën e thekrës në dietë, Muth sugjeron të fillohet me buke thekre tost, por paralajmëron të lexohet përmbajtja në paketim.

“Duhet të siguroheni që është vërtet bukë thekre, e bërë me miell thekre, dhe jo bukë gruri e ngjyrosur në kafe”, ka thënë ajo.

Në fund, ajo thekson se është e rëndësishme të kuptohet arsyeja e kapsllëkut.

“Po, kapsllëku është i bezdisshëm, por është edhe një sinjal. Trupi po ju tregon se diçka nuk është në rregull”, ka thënë Muth.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit