Një ilaç i ri kundër valëve të nxehtësisë trupore gjatë menopauzës do të jetë së shpejti i disponueshëm në sistemin shëndetësor publik të Britanisë.
Ilaçi Veoza, i njohur edhe si fezolinetant, është miratuar për përdorim nga National Institute for Health and Care Excellence (NICE) dhe do t’u ofrohet grave për të cilat terapia hormonale nuk është e përshtatshme, ka raportuar The Guardian.
Valët e nxehtësisë trupore, të njohura edhe si simptoma vazomotore, prekin rreth 70 për qind të grave që kalojnë menopauzën. Ato shkaktojnë ndjesi të papritura dhe të forta të nxehtësisë në trup, që mund të ndikojnë në cilësinë e jetës, gjumin, aktivitetin fizik dhe produktivitetin në punë.
Për dekada me radhë, mundësitë për trajtim të sigurt dhe efektiv kanë qenë të kufizuara.
Trajtimi më i zakonshëm ka qenë Hormone Replacement Therapy (HRT), por ky trajtim nuk është i përshtatshëm për shumë gra.
Për shembull, disa gra me histori të kancerit të gjirit ose vezoreve, me mpiksje gjaku apo me tension të lartë të patrajtuar nuk mund ta përdorin këtë terapi. Të tjera mund të përjetojnë efekte anësore ose thjesht preferojnë një trajtim pa hormone.
Ilaçi i ri prodhohet nga kompania “Astellas Pharma” dhe funksionon duke bllokuar rrugët nervore në tru që shkaktojnë valët e nxehta dhe djersitjet gjatë natës.
Tableta prej 45 mg merret një herë në ditë dhe është një trajtim jo-hormonal.
Sipas ekspertëve, terapia hormonale do të mbetet ende trajtimi i parë për shumicën e grave me simptoma të moderuara ose të rënda. Megjithatë, fezolinetant konsiderohet një alternativë e rëndësishme për ato që nuk mund ose nuk duan të përdorin HRT.
Rreth 500 mijë gra në Baritani pritet të përfitojnë nga ky trajtim.
Helen Knight, drejtoreshë për vlerësimin e barnave në NICE, ka thënë se simptomat e menopauzës mund të ndikojnë shumë në jetën e përditshme të grave.
“Ne e dimë se valët e nxehta dhe djersitjet gjatë natës mund të kenë ndikim të madh në cilësinë e jetës dhe në mirëqenien e përgjithshme. Për gratë që nuk mund të marrin terapi hormonale, mundësitë kanë qenë historikisht shumë të kufizuara dhe kemi dëgjuar qartë nga pacientet sa e vështirë është kjo”, ka thënë ajo.
Knight ka shtuar se provat tregojnë se ilaçi mund të ulë ndjeshëm simptomat dhe është konsideruar një zgjidhje me kosto efektive për sistemin shëndetësor.
Edhe Sue Mann, drejtoreshë klinike për shëndetin e grave në NHS England, e përshëndeti vendimin.
“Simptomat e menopauzës, përfshirë valët e nxehtësisë dhe djersitjet gjatë natës, mund të ndikojnë në çdo aspekt të jetës së një gruaje. Ky është një lajm shumë i mirë, sidomos për gratë që nuk mund ose nuk duan të përdorin terapi hormonale. Është një mundësi tjetër e rëndësishme trajtimi që mund të ndihmojë qindra mijëra gra të menaxhojnë më mirë simptomat”, ka thënë ajo.









