Ambasada Britanike në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për Listën Serbe, duke thënë se presin që deputetët e zgjedhur nga kjo parti të marrin detyrën dhe t’u shërbejnë qytetarëve që i kanë votuar.
Në një reagim në Facebook, Ambasada theksoi se inkurajohen të gjitha institucionet të respektojnë këtë vendim të PZAP-së.
“Ne presim që përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë legjitime të jenë në gjendje të marrin detyrën dhe t’u shërbejnë qytetarëve që i kanë zgjedhur. Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë proceset zgjedhore transparente dhe të bazuara në rregulla në Kosovë. Ne i inkurajojmë të gjitha institucionet dhe aktorët politikë të respektojnë vendimet e institucioneve demokratike dhe të mbështesin integritetin e kornizës zgjedhore”, thuhet në reagim.
Vendimi i PZAP-së vjen pas aprovimit të ankesës së Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mosshpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për këtë subjekt politik dhe kandidatët e saj. PZAP-ja konfirmoi se ankesa e Listës Serbe është e bazuar.
Më 31 janar, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025. Megjithatë, gjatë mbledhjes, anëtarët e Komisionit miratuan listat e kandidatëve të të gjitha partive përveç Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.
Tre anëtarë të KQZ-së votuan për shpalljen e listës, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa anëtarët e tjerë abstenuan.
Vendimin e KQZ-së e kritikuan ndërkombëtarët, duke theksuar rëndësinë e respektimit të proceseve dhe rezultateve zgjedhore të konfirmuara nga institucionet kompetente.








