Britania e Madhe ka sanksionuar grupin Krasniqi, të cilët kanë falsifikuar dokumente përmes një laboratori të falsifikuar.
Sipas njoftimit të Qeverisë britanike, me ndihmën e autoriteteve kosovare është sanksionuar “Rrjeti Krasniqi”, që përshkruhet si një bandë kriminale me seli në Kosovë, që kishte udhëhequr një laborator të sofistikuar për prodhimin e dokumenteve false.
Mbretëria e Bashkuar tha se kjo bandë e organizuar kriminale është përgjegjëse për prodhimin e dokumenteve false dhe furnizimit me to për bandat kriminale.
“Grupi ka krijuar pasaporta false, letërnjoftime dhe patentë-shoferë të më shumë se 50 shteteve, përfshirë të Mbretërisë së Bashkuar”, u tha në njoftim.
Sipas Mbretërisë së Bashkuar, personat e sanksionuar janë: “Burim Krasniqi, që përshkruhet si udhëheqës i rrjetit Krasniqi; Arif Krasniqi, që thuhet se ishte ndërmjetës i grupit që siguronte klientë për shërbimet e tyre; Flamur Krasniqi, anëtar i grupit të cilit iu gjetën në posedim dokumente të falsifikuara; Valon Krasniqi, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; Sami Duriqi, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve false; Granit Avdyli, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve dhe reklamimit të shërbimeve të grupit; Nexhmie Selmani, e cila ka ofruar objektin që ka përdorur grupi për të falsifikuar dokumente dhe po ashtu është përfshirë në ofrimin e pajisjeve për falsifikim; Endrit Emerllahu, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; si dhe Shembim Emerllahu, anëtar i grupit të cilit iu gjetën dokumente të falsifikuara”.
Gazeta kishte raportuar ekskluzivisht kur Prokuroria Speciale kishte vënë nën pranga grupin kriminal nga Kosova.
Gazeta kishte siguruar dosjen e Prokurorisë, ku thuhet se të dyshuarit mjetet falso të identifikimit i bënin në forma blanko dhe të mbushura. Aparaturat për falsifikim dokumentesh organet e rendit i kishin gjetur në një shtëpi në lagjen “Qendresa” në Prishtinë.
Arif Krasniqi dyshohej për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “Falsifikimi i dokumentit”.
I pandehuri në fjalë ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai ishte në mesin e 157 emrave të ish-pjesëtarëve të UÇK’së që po kërkoheshin nga Serbia nëpërmjet INTERPOL-it.
Prokuroria Speciale po ashtu bën të ditur se Policia të dyshuarin e parë, Flamur Krasniqin, e kishte kapur në flagrancë në Veternik të Prishtinës përgjatë një kontrolli rutinor. Në pikapin e tij, ai po barte gjithsej 16 çanta me material për falsifikim dokumentesh.
“Policia e Kosovës ka ndaluar personin e dyshuar te Flamur Krasniqi i cili po e drejtonte automjetin Pikap ngjyrë e bardhë, në te cilin i kishte të ngarkuara 16 çanta (kufera) të mbushura me dokumente të ndryshme blanko (te zbrazëta) dhe të mbushura, si pasaporta, patentshofera, etj të shteteve të ndryshme të botës si dhe material (hologram) qe shërben për prodhimin e dokumenteve te falsifikuara, po ashtu pasi është kryer kontrollimi i një shtëpie ne lagjen Qëndresa në të njëjtin objekt janë gjetur edhe aparatura të ndryshme për prodhimin e atyre dokumenteve te dyshuara te gjetura tek i pandehuri”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.
Flamur Krasniqi dyshohej për veprën penale “falsifikimi i dokumentit”.
Policia më 29 janar të këtij viti kishte lëshuar njoftim lidhur me rastin, ku kishte bërë të ditur se çfarë kishte kapur në pikapin e Krasniqit. Uniformat blu kishin publikuar edhe fotografi të materialit të sekuestruar.
“Policia e Kosovës më 24 janar 2025 ndaloi një automjet në Prishtinë, ku gjeti dokumente të zbrazëta të shteteve të ndryshme të botës. Shoferi me inicialet (F.K.) u arrestua dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Pas hetimeve intenzive, u zbulua një shtëpi në Prishtinë që shërbente si laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti dhe patentë shoferë. Në bastisje u sekuestruan dëshmi relevante, makina laserike, printerë, mbi 20,000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës. Ky rast po hetohet si “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Krim i organizuar” nga Prokuroria Speciale”, thuhej në njoftim.
Një herë dëshmitar, më pas i pandehur
Pas arrestimit të Flamurit, Arifi, babai i tij, ishte ftuar nga hetuesia për intervistim. Ai ka thënë për policinë se nuk ka qenë në dijeni për aktivitetin që po kryente i biri i tij.
Më pas, me qëllim të sigurimit të ndonjë prove, me urdhër të prokurorit Arif Krasniqit iu është sekuestruar telefoni.
Në galerinë e telefonit të tij janë gjetur 85 fotografi të dokumenteve me të dhëna të huaja. 23 nga to janë të bëra me dorëza, për të cilat Prokuroria Speciale kishte dyshuar se janë realizuar në laboratorin ku është kryer aktiviteti kriminal.
“Gjithashtu gjatë ekzaminimit vërehet se i ka fshirë aplikacionet në telefonin e tij, si dhe bisedat që i ka zhvilluar në këtë kohë me persona të ndryshëm”, thotë Prokuroria në dosje.
Prokuroria dyshonte se Arif Krasniqi ka shërbyer si ndërmjetës mes personave të interesuar për t’u pajisur me dokumente të falsifikuara dhe personave që kanë prodhuar të tilla dokumente.
Emrat e tjerë të sanksionuar nga Britania e Madhe ishin përmendur si të dyshuar potencialë në dosjen e Prokurorisë Speciale.









