Ministri britanik për Evropën, Lord Wood, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Wood ka thënë se Mbretëria e Bashkuar respekton pavarësinë e Gjykatës dhe procesin e saj gjyqësor, duke theksuar përkushtimin britanik ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në rajon.
“Mbretëria e Bashkuar mbetet mike dhe partnere e afërt e Kosovës, duke mbështetur fuqishëm sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të saj, si dhe paqen në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar ai.
Wood ka përmendur edhe rolin e Britanisë së Madhe gjatë luftës së vitit 1999.
“Ne jemi krenarë për rolin që luajtëm së bashku me aleatët e NATO-s në ndihmën për parandalimin e një katastrofe humanitare në vitin 1999 dhe në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”, ka thënë ai.
Sipas tij, aktgjykimi i sotëm është një moment i rëndësishëm, por nuk lidhet me statusin shtetëror të Kosovës.
“Gjykimi i sotëm nga Dhomat e Specializuara të Kosovës është një moment i rëndësishëm, por nuk është gjykim për shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj”, ka deklaruar Wood.








