Britania e Madhe dhe Norvegjia kanë nënshkruar një marrëveshje të re strategjike në fushën e mbrojtjes, e cila parasheh krijimin e një flote të përbashkët detare për monitorimin dhe ndjekjen e aktiviteteve të nëndetëseve ruse në Atlantikun e Veriut.
Pakti, që vlerësohet si një hap i rëndësishëm për dy vendet anëtare të NATO-s, synon të forcojë mbrojtjen e kabllove nënujore – infrastrukturë kritike që sipas zyrtarëve britanikë po përballet gjithnjë e më shumë me kërcënime nga aktivitetet ruse.
Ministria britanike e Mbrojtjes ka raportuar një rritje prej 30% të anijeve ruse të konstatuara në ujërat britanike gjatë dy viteve të fundit, çka ka shtuar shqetësimet për sigurinë detare.
Në kuadër të marrëveshjes, marina britanike dhe ajo norvegjeze do të përdorin një flotë moderne fregatash Type 26, të prodhuara në Britani, për operacione të përbashkëta të mbikëqyrjes.
Kryeministri britanik Keir Starmer e ka cilësuar marrëveshjen si “historike”, duke theksuar se ajo forcon kapacitetet e vendit për të mbrojtur infrastrukturën kritike nënujore.
Një nga qëllimet kryesore të flotës patrulluese do të jetë ndjekja e anijeve ruse, përfshirë edhe anijen e dyshuar spiune Yantar, e cila kohëve të fundit është akuzuar se ka përdorur lazerë për të penguar pilotët britanikë të RAF-it.
Megjithëse Rusia e prezanton Yantar-in si një anije kërkimore oqeanike, vendet perëndimore prej vitesh dyshojnë se ajo ka rol aktiv në hartëzimin e kabllove nënujore – pjesë thelbësore e komunikimit global.
Forcat britanike dhe norvegjeze do të vëzhgojnë lëvizjet detare ruse në zonën strategjike midis Groenlandës, Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke mbrojtur kabllot nënujore dhe tubacionet që furnizojnë rrjetet britanike të komunikimit, energjisë dhe gazit.






