Asetet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) në fund të muajit prill 2026 kanë arritur vlerën prej 1.90 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 38.02 milionë eurosh, krahasuar me muajin mars 2026, shkruan Indeksonline.
Sipas të dhënave më të fundit financiare, rritja e aseteve reflekton një trend pozitiv në strukturën e bilancit të BQK-së gjatë kësaj periudhe.
Nga gjithsej asetet, vlera e investimeve në depozita dhe letra me vlerë jashtë vendit më 30 prill 2026 ishte rreth 1.38 miliardë euro. Në krahasim me muajin paraprak, këto investime kanë shënuar rritje prej 19.12 milionë euro, ku depozitat janë rritur për 13.64 milionë euro, ndërsa investimet në letra me vlerë për 5.48 milionë euro.
Depozitat e mbajtura në BQK deri në fund të prillit 2026 kanë arritur në 1.59 miliardë euro, duke u rritur për 37.05 milionë euro, krahasuar me muajin paraprak.
Ndërkohë, kapitali i Bankës Qendrore të Kosovës ka arritur në 137.69 milionë euro.
Asetet e rezervës ndërkombëtare gjithashtu kanë shënuar rritje, duke arritur në 1.48 miliardë euro në fund të prillit 2026, ose 42.13 milionë euro më shumë se në muajin mars.
Sipas BQK-së, kjo rritje është nxitur kryesisht nga rritja e depozitave dhe investimeve në letra me vlerë jashtë vendit.










