Banka Qendrore e Kosovës (BQK) është përfshirë në mekanizmin e përhershëm të Eurosistemit për sigurimin e likuiditetit në euro.
Bëhet fjalë për EUREP, mekanizëm i krijuar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) për bankat qendrore jashtë zonës së euros.
Përmes këtij mekanizmi, bankat qendrore të pranueshme mund të sigurojnë likuiditet në euro në rast nevoje. Linjat individuale mund të arrijnë deri në 50 miliardë euro, në varësi të kushteve dhe kolateralit të pranueshëm.
Kjo nuk do të thotë se BQK-së i janë dhënë 50 miliardë euro.
Shuma që mund të jetë në dispozicion për Kosovën ende nuk është përcaktuar. Ajo do të varet nga nevojat e vendit, kërkesat e Eurosistemit dhe kolaterali që mund të përdoret.
Aktualisht, BQK ka qasje në një linjë REPO deri në 100 milionë euro. Kjo marrëveshje është e vlefshme deri më 31 janar 2027.
Me përfshirjen në EUREP, BQK kalon nga kjo marrëveshje e kufizuar në një mekanizëm të përhershëm për sigurimin e likuiditetit në euro.
Mekanizmi koordinohet nga BQE-ja. Në zbatimin e tij për Kosovën do të bashkëpunojë edhe Banka Qendrore e Gjermanisë, Deutsche Bundesbank.
BQK ka bërë të ditur se përgatitjet teknike dhe operacionale me Bundesbank-un do të vazhdojnë në ditët në vijim.
Sipas BQK-së, mekanizmi i ri synon të forcojë mbrojtjen e sistemit financiar të Kosovës në rast të goditjeve të jashtme ose problemeve të mundshme me likuiditetin.








